TECH

Të gjithë pas makinave elektrike, Lamborghini në drejtim të kundërt

Drejtuesi i i Lamborghini thotë se klientët duan ende “zhurmën dhe emocionin” e motorëve dhe kompania do të vazhdojë t’i përdorë për të paktën edhe dekadën e ardhshme.

Stephan Winkelmann tha për BBC se entuziazmi për makinat elektrike po bie duke krijuar një mundësi për t’u përqendruar te motorët hibridë.

Muajin e ardhshëm kompania do të vendosë nëse modeli i planifikuar prej kohësh, Lanzador, do të jetë i gjithi elektrik apo hibrid.

Winkelmann tha se Lamborghini është i përgjegjshëm nga ana sociale, por shtoi se si prodhues në sasi të pakët, ka pak ndikim në mjedis.

Lamborghini është një markë luksi në pronësi të Volkswagen Group. Aktualisht ka tri modele kryesore.

Temerario dhe Revuelto janë supermakina. Të dyja janë hibridë që kombinojnë motorët e fuqishëm me djegie dhe elektrikë. Ata mund të funksionojnë edhe në mënyrë plotësisht elektrike, në distanca të shkurtra.

Urus është një SUV luksoze, e cila është e disponueshme si hibrid dhe me motorë të zakonshëm. Më pak ekzotike dhe që bie më pak në sy sesa supermakinat, por përbën më shumë se gjysmën e shitjeve të kompanisë.

Ka edhe një makinë super-sportive me sasi të limituar, Feromeno e cila arrin deri në 346 km/h. Do të ndërtohen vetëm 30 prej tyre dhe secila kushton 3 milionë euro.

Dy vite më parë, Lamborghini tha se do të ndërtonte një Urus plotësisht elektrik, i cili do të prezantohej në vitin 2029. Por plani ka mbetur pezull dhe modeli elektrik nuk pritet deri në vitin 2035.

Ndryshe nga rivali, Ferrari ka vendosur të krijojë një makinë plotësisht elektrike. Elettrica do të prezantohet vitin e ardhshëm, krah modeleve të zakonshme dhe hibride.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button