Janë publikuar pamjet e vrasjes së regjistruar mesditën e djeshme, rreth orës 11:45, në ambientet e një kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari Armando Meshau.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Bold News.al, Armand Meshau ndodhet i ulur para një kompjuteri në momentin kur nis debati me autorin 33-vjeçar, Rei Meta.
Pas një debati verbal mes tyre, Armando Meshau çohet në një moment dhe e godet i pari me grusht Rei Metan. Më pas, ky i fundit e godet disa herë rresht me grushte në kokë deri sa e lë të vdekur në vend. Fillimisht, Meshau bie në karrike dhe më pas në tokë, teksa një djalë i afrohet t’i japë ndihmë.
Rei Meta ka thënë para policisë, se shkak për sherrin është bërë një shumë parash, që Armando Meshau ia kishte për të dhënë.
“Me Armandon kam pasur një konflikt të hershëm për çështje lekësh. Unë para disa kohësh kisha ndërmjetësuar tek një tjetër person që Armando të blinte një sipërfaqe toke. Ai më kishte premtuar se nëse do të mund të blinte atë tokë, unë do të përfitoja prej tij një shumë lekësh, por që nuk më tha se sa. Pas disa kohësh mora vesh se ajo sipërfaqe toke ishte blerë nga Armando dhe kam shkuar disa herë ta takojë e t’i kërkoja lekët që më kishte premtuar”. – ka thënë ai në polici.