Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë Maqedoninë e Veriut të hënën. Mësohet se Kurti do të takojë homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, kryeministrin Hristjan Mickoski, në ora 10:00. Aty do të marrin pjesë edhe disa anëtarë tjerë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN. Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Kjo vizitë ndodh në kohën kur Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur policia e aeroportit i ka kërkuar kësaj të fundit që të dorëzojë çantën e dorës dhe telefonin celular për kontroll, pas çka ka pasuar një zënkë mes sigurimit të Presidentes dhe atyre të aeroportit.