Kriza e rritjes së çmimeve ka prekur edhe arsimin. Për këtë arsye pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dolën sot në protestë.
Ata kërkojnë rritje pagash, ndërsa paralajmërojnë se do të bojkotojnë mësimin deri në plotësimin e kërkesave.
Pedagogët kërkojnë që pagat e tyre të arrijnë nivelin e pagave të pedagogëve në rajon.
“Nuk janë si ato paralajmërimet kineze. Është një paralajmërim serioz në të cilën ne do ua tregojmë pse u thirrëm sot. Ka 18 vite që pedagogët nëpërkëmben, që rroga e tyre ka ngelur aq sa ka qenë. Natyrshëm ju pyesni pse e zgjodhëm këtë datë. Ne dolëm sot sepse kemi disa vite ku nuk na dëgjohet fjala. Në fund të majit vendosëm që protestën ta bënim në qershor por nuk donim të pengonim studentët për t’u diplomuar.
Shumë prej jush e mbani mend takimin me Spiropalin, e cila organizoi një takim a thua ti se aty kishte mbaruar çdo gjë. E kam marrë fjalën dhe i kam kërkuar vetëm një gjë, këtë patronazhin me ministrinë e Mjedisit si e ke organizuar. Kanë kaluar më shumë se 3 vite dhe unë nuk di që një projekt i ministrisë së Mjedisit të ketë ardhur.
Kryeministri në vend që të vinte të fliste për problemet e universitetit, së bashku me Spiropalin thonin, shumë bukur jeni veshur. Po dal përpara dhe po i them, zonjë sot si jam veshur? Ju thirrëm sot për t’ju thënë se kjo protestë nuk ka dalë nga hiçi, kemi 5 vite që i kemi dërguar një peticion qeverisë. Sot kemi takim me ministrinë e Arsimit dhe aty do vendosim nëse do e vazhdojmë apo jo. Nëse nuk merret asnjë masë ne do vazhdojmë protesta nëpër të gjitha universitetet për të protestuar. Nëse 5 tetorit, qeveria nuk hyn në diskutime, do të ftohet stafi akademik në bojkotimin e fillimit të mësimit në 17 tetor të vitit 2022. Le të kujtohet kjo qeveri e majtë që është e para që nuk e fillon vitin e ri akademik”– u shpreh njëri prej pedagogëve.