Një aksident i rëndë ka ndodhur në Durrës, ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në oborrin e një banese.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Azem Hajdari” në Spitallë mëngjesin e sotëm.
Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por dëme të shumta materiale si në mjetet, ashtu edhe në rrethimin e oborrit të banesës.
Sipas burimeve pranë Policisë së Durrësit, ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në po të njëjtin vend, ku makinat përfundojnë nga përplasja e fuqishme drejt e në oborrin e banesave të zonës, ngjarje këto të cilat mund të kishin rezultuar edhe me pasoja fatale.
Sakaq rruga në zonën ku ka ndodhur aksidenti, nuk është e lejuar të përshkohet me shpejtësi të lartë, pasi bëhet fjalë për rrugica lagjesh, ndërkohë që duket se pakujdesia e drejtuesve të mjeteve është e lartë.
Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pas njoftimit nga banorët e zonës dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.