PLUG/ ‘Asnjë ditë në emgiracion’, CV e Majlinda Bufit që justifikon pasurinë me ‘emigracion’

Mirëmbrëma miq, po fillon Plug. Ajo që sapo ndoqët ishte një përshkrim I shkurtër për personazhin, që do të jetë objekt i investigimit të emisionit të sotëm. Akuza që SPAK ka ngritur ndaj Majlinda Bufit, duket se është shumë periferike në raport me abuzimet me detyrën që dyshohet se ka kryer kryetarja e bashkisë së Roskovecit. Sot, Plug nuk do të ndalet tek abuzimet, tenderat e luksit dhe kthimin e bashkisë Roskovec në çiflik personal të Majlinda Bufit. Sot do t`ju tregojmë pasurimin e kryetares së bashkisë së Roskovecit, që edhe pse SPAK e hetoi për krimet elektorale, duket se e amnistoi për miliona euro, prona e pasuri të dyshimta të krijuara në më pak se dhjetë vjet si kryetare bashkie. Por fillimisht do tju njohim me një jetëshkrim të shkrutër të znj. Bufi, që do të shërbejë si provë, për të provuar dyshimet e pasurimit të kryebashkiakes miliardiere.
Majlinda Bufi ka lindur në 20 maj 1972 në Roskovec. Ajo ështëmartuar me shtetasin Arben Bufi me të cilin ka dhe dy fëmijë, Iva dhe Marvi. Nga CV e saj ajo deklaron se ka përfunduar arsimin e lartë, Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës hde më pas fakultetin ekonomik në Universitetin bujqësor të Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta universitare, Majlinda Bufi deklaron se ka nisur punë në administratën publike.
Sipas jetëshkrimit të saj, ajo ka nisur punë në janar të vitit 1996 në Ndërmarrjen Komunale në Roskovec, ku ka punuar deri në muajin Korrik të vitit 1997. Në muajin shtator të këtij viti, ajo ka nisur punë në Drejtorinë Asimore në Fier, ku deklaron se ka punuar deri në vitin 1998. Në prill të vitit 1998 deri në korrik 2000, Majlinda Bufi ka punuar si Drejtuese e Zyrës së Shërbimeve dhe Urbanistikës në Bashkinë Roskovec. Nga shtatori i vitit 2000 deri në maj të vitit 2007, deklaron se ka punuar si Drejtuese tEknike dhe Inxhiniere në kompaninë e bashkëshortit të saj ANBI Shpk.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 Majlinda Bufi ka punuar si drejtuese e Zyrës së Shërbimeve dhe Urbanistikës në Bashkinë e Ballshit, ndërsa në vitin 2012 largohet nga puna në administratë dhe themelon kompaninë MEGAL-CENTER shpk, për të cilën do të flasim më vonë. Në vitin 2013, largohet nga kompania që themeloi dhe zgjidhet deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Roskovecin, nën siglën e Partisë Socialiste. ndërsa në korrik të vitit 2015, Majlinda Bufi merr detyrën si Kryetare e Bashkisë së Roskovecit, të cilën e mban deri në ditën që flasim.
Në formularin e deklarimit të dekriminalizimit, Majlinda Bufi ka deklaruar se nuk është dënuar kurrë me vendim gjyqësor të formës së prerë, as brenda dhe as jashtë vendit. Gjithashtu ajo ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë në hetim apo gjykim nga autoritete të huaja për kryerjen e një vepre penale dhe mbi të gjitha. Majlinda Bufi deklaron se nuk ka qenë kurrë në emigrim, duke u shprehur në formularin e dekriminalizimit se nuk ka qëndruar kurrë jashtë territorit të republikës së Shqipërisë për më shumë se një muaj.
Dhe pikërisht ky deklarim, është çelsi që hap shumë pista dyshimi ndaj Majlinda Bufit dhe që do të trajtohen në investigimin tonë. Fakti që kryetarja e bashkisë Rokovec deklaron në formularin e dekriminalizimit se nuk ka qenë kurrë në emigracion, konfirmohet edhe nga të dhënat e jetëshkrimit të saj, që parashtruam më sipër, nga të cilat deklarohet se nga viti 1996, kohë kur Majlinda Bufi ka dalë në tregun e punës pas përfundimit të dy fakulteve, e deri në momentin e transmetimit të këtij emisioni, ajo ka punuar herë në administratën publike dhe biznesin e bashkëshortit, e më pas duke ngjitur shkallët e karrierës në Partinë Socialiste. Ndërsa bashkëshorti i saj, shtetasi Arben Bufi, nga të dhënat publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se prej vitit 2000 e deri më sot, është sipërmarrës, si pronar i dy kompanive, ANBI shpk dhe MARIVA shpk, për të cilat plug do të flasë më gjerësisht në vijim.
Majlinda Bufi, si kryetare e bashkisë Roskovec, është vetëquajtur para kryeministrit Edi Rama si “shtrigë”, e ndërsa vet shefi i saj politikë, nuk ka nguruar t`ia përmend këtë sa herë është shfaqur në publik, duke u shprehur se Majlinda Bufi është shtrigë që i duhet Roskovecit.









