Gjendet në bregun e Marbellës trupi i pajetë i Miklovan Dakajt

Miklovan Dakaj, 30 vjeç, nga Shkodra është gjetur i vdekur në Spanjë. Mediat spanjolle shkruajnë se 30-vjeçari, i zhdukur që në muajin maj, u gjet në bregun e Marbellës.
Të afërmit e tij morën një telegram që konfirmonte vrasjen e tij dhe i paralajmëronte të mos e kërkonin.
Dakaj ishte i përfshirë në trafikun e kokainës dhe klanet ndërkombëtare. Zhdukja e tij u raportua në Spanjë dhe Shqipëri, dhe vendndodhja e tij nuk dihet.
“Guardia Civile ka nisur një hetim në Marbella. Nuk ka pasur arrestime dhe autoritetet nuk kanë zbuluar informacion mbi rrethanat aktuale të gjetjes.
Bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është i vazhdueshëm për të sqaruar situatën. Hetimi është duke vazhduar dhe autoritetet paralajmërojnë publikun të mos përhapë mesazhe ose informacione të pabazuara në lidhje me rastin”, thuhet në artikullin e “Costablancadaily”.
Lajmi i zhdukjes së Miklovan Dakajt u publikua nga News24 ku burime për gazetaren Klodiana Lala, bënë me dije se, prej muajit maj, personi i fundit që ka patur kontakt me Dakajn, është bashkëshortja e tij, me të cilën ai disa orë përpara se të zhdukej kanë shkuar në një qendër shëndetësore për ti bërë vaksinën fëmijës së mitur.
Pas këtij momenti ata janë ndarë dhe pasi nuk është lidhur ne telefon për disa orë me radhë, gruaja e tij ka bërë denoncim në policinë spanjolle. Njëherazi në policinë e Shkodrës familjarët e tjerë kanë denoncuar zhdukjen e tij.
News24 ka mësuar se pas humbjes së kontakteve me djalin e tyre në familjen e Pal Dakaj ka shkuar një person nga Durrësi dhe iu ka thënë se “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”. Më pas familja është informuar se trupi është në morg, por deri më tani nuk është hedhur dritë mbi rastin.
Familjarët kishin dyshime se ai është vrarë dhe kërkuan zbardhjen e ngjarjes. . Miklovan Dakaj ka qenë i ndaluar në burg në Itali për 3 muaj dhe sipas të dhënave është i vetmi record kriminal që kishte.









