Portret/ Ziso Musha, Mjeshtri që “e bën drurin të flasë”

Fier – Çdo ditë, pa lindur ende dielli, zgjohet me një plan të qartë në mendje. Punë të shumta e porosi gjithnjë në rritje e presin në punishten e tij të drurit, ku aroma e lisit dhe e arrës ndërthuret me pasionin dhe durimin. Ziso Musha është një ndër ata njerëz të rrallë që, siç thuhet me të drejtë, “drurin e bën të flasë”.
69-vjeçar, me një pamje fisnike dhe duar të arta, ai ka ndërtuar me vite një art të vetin, të papërsëritshëm, me një un artistik të dallueshëm. Prej shumë vitesh jeton në Portëz të qytetit të Fierit, por rrënjët e tij janë të thella dhe të lidhura ngushtë me traditën.
Trashëgimi nga fisi dhe nga vendlindja
Dashuria për gdhendjen në dru ka lindur herët tek Ziso. Siç shprehet ai vetë, kjo nuk është rastësi, por trashëgimi e fisit.
“Mburrja dhe krenaria e fisit tim – thotë Ziso me të qeshur – është dashuria për artin e gdhendjes së drurit. Këtë e ka pasur xhaxhai im, këtë e kanë pasur edhe njerëzit e afërt të gjakut tim.”

Vendlindja e tij është Erseka, një krahinë e njohur për artin e gdhendjes në dru, etnografinë dhe kulturën popullore, për tabanin e fortë shpirtëror që ruhet brez pas brezi. Pikërisht aty janë hedhur themelet e pasionit që sot e bën Ziso Mushën një emër të njohur në këtë art.
Arti që vazhdon brez pas brezi
Nuk është rastësi që sot kjo traditë po kultivohet edhe nga dy djemtë e tij, Kostandini dhe Mario. Dashuria e tyre për drurin dhe gdhendjen është fryt i asaj që u është ushqyer që në fëmijëri, ashtu siç etërit e vjetër ia ushqyen dikur vetë Zisos.

Sot, familja Musha përfaqëson një zinxhir të pandërprerë tradite, ku arti nuk mësohet vetëm me fjalë, por me shembull dhe përkushtim.
Shtëpia-muze dhe shpirti etnografik
Ziso sot jeton në një vilë të bukur, e njohur nga të gjithë si shtëpia e gdhendësit të drurit. Çdo cep i saj është i rrethuar nga druri i lisit dhe i arrës. Ambientet duken si një muze etnografik i gjallë, ku gjithçka rrezaton kulturë popullore.
Nga oxhaku i gdhendur me detaje, te veshjet tradicionale të zonës së Voskopojës, te këngët, ritet dhe zakonet e mikpritjes – gjithçka flet për një njeri që nuk mban vetëm drurin në gjak, por edhe etnografinë, zdrukthtarinë, këngët e lashta voskopojare dhe gjuhën e vjetër vllehe.
Arti i pastër, pa ndikime
Në gdhendjet e tij, Ziso ruan me fanatizëm artin origjinal, pa zbukurime artificiale dhe pa ndikime të huaja. Ai punon si bleta që mbledh nektarin e luleve: mbledh esencën e krahinës së tij dhe e shndërron në forma artistike – lule, flutura, motive tradicionale – të cilat marrin jetë në dru.
Ky art është shfaqur edhe në konkurime etnografike, ku gdhendjet e tij kanë shoqëruar veshje popullore të qëndisura nga mjeshtret e vjetra, duke krijuar një harmoni të rrallë mes drurit dhe tekstilit tradicional.
“Për të ardhur deri këtu – thotë Ziso me modesti – më kanë ndihmuar shumë dy miqtë e mi skulptorë, Kristaq Valeria dhe Haxhi Kalluci.”
Sot, klientët e tij janë kryesisht pronarë vilash, të cilët e kërkojnë për shkallë spirale, tavane, elementë dekorativë dhe gdhendje artistike unike.

“Vila mund të vjetërohet, mund edhe të prishet. Por një gjë mbetet: arti i duarve njerëzore. Ai nuk vdes kurrë.”
Ikonostas, restaurues dhe shërbëtor i besimit
Veç etnografisë, Ziso Musha njihet edhe si ikonostas dhe restaurues i kishave të vjetra. Me shumë dashuri dhe përkushtim, ai u ka dhënë shenjtorëve tipare individuale, duke i sjellë ata më pranë besimtarit.
Ai ka punuar dhe restauruar në dru 7 kisha, mes tyre:
Kisha e Fierit, një ndër më të bukurat në Ballkan
Kisha e Lushnjës
Kisha e Pogradecit
Manastiri i Ardenicës
Kisha e Agimit
Kisha e Semanit
Kisha e vjetër e Kolkondazit, e njohur si Kisha e “Shën Kozmait”
Pjesëmarrje në ekspozita dhe vlerësim publik
Ziso Musha është pjesëmarrës në ekspozitat e arteve figurative që prej vitit 1982, duke ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe në rritje. Kulmi i këtyre paraqitjeve ishte ekspozita vetjake në Gjirokastër, në maj të këtij viti, e gjitha e përqendruar në gdhendjet në dru.
Kjo ekspozitë u përfol gjerësisht nga media e shkruar dhe ajo vizive, duke e konfirmuar Ziso Mushën si një mjeshtër të vërtetë të drurit dhe ruajtës të trashëgimisë kulturore shqiptare.











