Saturday, July 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËPresidenti Meta përshëndet vendimin BE për nisjen e negociatave të anëtarësimit...

Presidenti Meta përshëndet vendimin BE për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti Meta përshëndet përzemërsisht vendimin strategjik të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

19 korrik 2022

E përshëndes përzemërsisht vendimin strategjik të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

E sotmja, edhe pse një ditë shumë e vonuar, përsëri është një ditë e shkëlqyer për Shqipërinë, duke hedhur një hap përpara në rrugën tonë europiane. Ky është një gur kilometrik i vendosur bashkërisht nga shqiptarët dhe miqtë tanë europianë.

E sotmja është një ditë e shkëlqyer edhe për rajonin tonë, që vazhdon të gëzojë përkrahjen dhe mbështetjen europiane. Ky është një sinjal i qartë, që perspektiva europiane e rajonit është e gjallë dhe alternativa e vetme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

E sotmja është një ditë vendimtare për të ardhmen, një ditë kur duhet të ballafaqohemi me këmbë në tokë me realitetin, ashtu siç është.
E vërteta është se kemi humbur shumë kohë.

Dokumenti i miratuar nga Bashkimi Europian është pasqyra e plotë që na zbulon të gjitha të metat, luhatjet, çorientimet dhe punët e pabëra apo të bëra keq.

Korniza negociuese i përmban edhe kushtet e Bundestagut, edhe shqetësimet e Holandës, dhe vërejtjet e Francës, edhe të gjitha ato shqetësime të shprehura në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian.

Transformimi tërësor i një vendi kërkon vullnet, kërkon kërkon mund, kërkon punë të vazhdueshme.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e fushatave që duan të na dekurajojnë dhe ta minojnë rrugën tonë europiane.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që ia vlen çdo përpjekje dhe sakrificë, sepse është e vetmja rrugë që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë paqe, siguri dhe begati që për fat të keq ende bashkëqytetarët tanë po e kërkojnë në Gjermani, Francë, Itali, Britani dhe vende të tjera.

U bëj gjithashtu thirrje të gjitha institucioneve pa përjashtim, që të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave urgjente që kërkon ky proces. Është në dorën tone dhe vetëm në dorën tonë që deri në anëtarësimin e plotë të kalojnë 5 apo 30 vite të tjera.

Urime të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe mirënjohje të gjithë miqve që sot i kemi më të shumtë dhe më të afërt se dje.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME