Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq një person, iu gjetën arsenal armësh

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin me iniciale M.R., i akuzuar për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, ai u kap fillimisht me një pistoletë dhe 50 fishekë në automjetin që drejtonte. Gjatë kontrolleve të mëvonshme, autoritetet sekuestruan edhe 12 armë të tjera zjarri, përfshirë 10 automatikë model 56, një armë automatike tip “Skorpion” dhe një pistoletë, si dhe 465 fishekë, 14 krehëra armësh dhe dy silenciatorë.
Ekspertiza teknik-balistike konfirmoi se të gjitha armët ishin funksionale. Prokuroria bën me dije se po heton veçmas dyshimet se një pjesë e arsenalit mbahej për t’u shitur në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.R, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi 6, i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1586, të vitit 2025, rezultoi se, i pandehuri M.R., gjatë kohës që ishte në drejtimin e automjetit mbante 1 armë zjarri tip pistoletë, së bashku me 50 fishekë. Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të përdorura prej tij, u sekuestruan po ashtu 12 armë të tjera zjarri, përkatësisht 10 automatikë model 56, 1 armë automatike e tipit “Skorpion” dhe 1 pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Gjithashtu, janë sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe 2 pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve (“silenciatorë”).
Në bazë të akteve të ekspertimit teknik-balistik, të gjitha armët dhe municionet e sekuestruara rezultuan në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Hetimet evidentuan gjithashtu të dhëna që krijojnë dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme, faktet këto që janë objekt hetimi në një procedim penal të ndarë.
Prokuroria Fier mbetet e angazhuar në goditjen e çdo forme të kriminalitetit që cenon rendin dhe sigurinë publike, veçanërisht të veprave penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe tregtimin e paligjshëm të armëve e municioneve.
Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, Prokuroria do të vijojë të ushtrojë me vendosmëri kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, me qëllim garantimin e rendit publik, rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe forcimin e besimit të publikut te drejtësia.










