Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin e thelluar për gjyqtaren me tre mbiemra, Irena Gjokën, e cila është arrestuar në Greqi dhe është dëbuar nga ky vend për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke. Sipas Drejtorit te Koordinimit Institucional, të këtij institucioni, për gjykatësen Irena Gjoka “ka nisur një hetim i thelluar” në datën 8 maj, që përfshin edhe dërgimin e kërkesës së dokumenteve përkatëse në vendet e BE, në SHBA, Kanada dhe Australi.
Nga SYRI TV
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin e thelluar për gjyqtaren Irena Gjokën, e cila sipas dokumenteve të publikuara në mediat helene, është arrestuar në Greqi dhe është dëbuar nga ky vend për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke.
Lapsi.al bën me dije se pas interesit në Prokurorinë e Përgjithshme për këtë çështje i është përgjigjur Drejtori i Koordinimit Institucional, Kostaq Beluri, i cili pranon faktin se për gjykatësen Irena Gjoka “ka nisur një hetim i thelluar” në datën 8 maj, që përfshin edhe dërgimin e kërkesës së dokumenteve përkatëse në vendet e BE, në SHBA, Kanada dhe Australi.
Pyetjes se: “A janë dërguar letër-porosi në lidhje me një dënim për dëbimin e Irena Gjokës nga vendet e zonës Shengen?”, prokuroria iu përgjigj: “Për interesa të verifikimit të thelluar, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesë për informacion dhe dokumenta gjithë institucioneve që përcakton ligji”.
Sipas mediave greke, Irena Gjoka me bashkëshortin e saj të parë kishte tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio-epirote.
Pas zbulimit të këtij falsifikimi emri i saj u fut në listën e personave “non grata” të sistemit Shengen. Asaj iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike dhe të dhënat e saj dhe shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.
Në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim. Për shkak të një fshehjeje të tillë, zyrtarë të tjerë janë shkarkuar dhe disa janë dënuar për akuzën e falsifikimit në të kaluarën. Megjithatë Irena Gjoka ia doli të bëhet gjyqtare e GjKKO, të zgjidhej nënkryetare, por me funksionet e kryetares për shkak të vakancës.
Disa ditë më pare, avokatët e liderit të opozitës Sali Berisha kërkuan përjashtimin e gjyqtares nga procesi ndaj tij, për të cilin nuk ka prova dhe fakte, ndërkohë që mbahet në arrest shtëpie. Avokati Genc Gjokutaj deklaroi se Irena Gjoka e pranoi dënimin që kishte për të në Greqi, por sipas gjyqtares ky fakt nuk përbënte shkak për ta përjashtuar nga çështja.