Banorët e Divjakës kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar vendosjen e një trau që të çon në zonën e parkut të Karavastasë.
Forca të shumta policie kanë rrethuar hyrjen.
Me pankarta të ndryshme që mbajnë në duar banorët njëzëri thanë se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Kreu i PD-së për Divjakën, Eduard Sharka tha se trau është vendosur në mënyrë të paligjshme.
“Ai park i mban të gjallë, me oksigjen. I vetmi tra i ligjshëm është ai që ndan kufijtë, por jo një rrugë nacionale. Çdo qytetar i Divjakës dhe çdo turist e ka të drejtë që do të shkojë drejt plazhit. Mënyra e vendosjes së traut është simbol i arrogancës, i mungesës së lirisë, i interesave që fshihen për projekte të njerëzve të qeverisë. Qëllimi i vetëm i kësaj qeverie është punësimi i disa patronazhistëve. Bizneset paguajnë taksa, por do të preken nga vendosja e këtij trau”, tha Sharka.
Ndërkohë, një prej banorëve tha se “edhe ajrin që na ka dhënë i madhi Zot, po na e japin me lekë!”.
Në mbështetje të banorëve ka dalë edhe deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, i cili e ka cilësuar vendimin e qeverisë çmenduri të radhës.
“Të hysh në një plazh publik, nuk ndodh që të taksohet. Kjo është e vetmja rrugë që ka akses për plazhin publik. Edhe pse taksë ka marrë bashkia, tani po merr dhe qeveria. Është çmenduri e radhës që po ndodh në këtë vend. Duhet të ishin në këtë protestë dhe deputetët e maxhorancës. Shoh këtu banorë që kanë votuar majtas. Kjo dëmton gjithë qytetarët, Divjakën. Të gjithë fukarenjtë këtu vijnë të bëjnë plazh, nuk ikin dot në Dhërmi. Vijnë ata që s’kanë mundësi të ikin të paguajnë 30 mijë lekë, që të çojnë dy ditë plazh fëmijët dhe në fund të thonë: ishim në plazh. Do vijojmë deri sa të bëjë mbrapsht qeveria”, tha Koreshi.
Nërkohë ka patur përplasje mes banorëve dhe policisë.