AKTUALITETKRYESORE

Protesta/ Banorët e Varibopit ankohen për mungesën e infrastrukturës rrugore dhe ujit të pijshëm

Banorë të tre lagjeve të fshatit Varibop të Cakranit janë ngritur në protestë këtë të hënë për shkak të mungesës së investimeve në zonën e tyre. Problematika kryesore për këta banorë mbeten mungesa e investimeve në infrastrukturë rrugore si dhe mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm.

Banorë të tre lagjeve në fshatin Varibop të njësisë administrative Cakranit janë ngritur në protestë këtë të hënë. Shkak është bërë amortizimi i rrugëve të lagjeve që lidhen me rrugën kryesore të autostradës Levan – Tepelenë, si dhe rrugës që të dërgon në varrezat e fshatit që nuk është më shumë se një kilometër.

Gropat, balta në dimër e pluhuri në verë janë kthyer në problem serioz për qarkullimin, madje ka pasur edhe një rast kur arkëmorti ka dalë nga makina duke i rëne kapaku në rrugë. Në kushtet kur nga pushteti vendor nuk është marrë asnjë masë, banorët kanë shtruar rrugët me shpenzimet e tyre.

Tjetër problematikë është edhe furnizimi me ujë. Nëpërmjet puseve të Varibopit furnizohen me ujë fshatrat e Patosit, teksa banorët e zonës janë detyruar të hapin puse private.

Janë rreth 150 banesa të tre lagjeve, Zenunaj, Sherifaj e Koçiaj në Varibop të Cakranit, që prej më shumë se 25 vitesh nuk njohin investime në fshat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button