
Pas marshimit rreth godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar lëvizjen drejt AKSHI-t, duke vazhduar protestën e tyre kundër qeverisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se një pjesë e pjesëmarrësve mund të qëndrojnë në protestë edhe gjatë natës.
Në tubim morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan marshimit dhe thirrjeve të protestuesve në Tiranë.
“Je i rrethuar s’ke për të shpëtuar. Pas rrethimit të Kryeministrisë do t’i vijnë hekurat dhe burgu. Ik nga Kryeministria se të pret qelia…”, jehon thirrja e protestuesve.
Teksa marshonin rreth godinës së Kryeministrisë, protestuesit përsëritën thirrjet për hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.
Një prej protestueseve, gjatë fjalës së saj, deklaroi se pjesëmarrësit në tubim nuk janë mbledhur vetëm për të shprehur pakënaqësi, por për të kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie nga politika. Ajo u shpreh se SPAK duhet të hetojë të gjithë zyrtarët e dyshuar për korrupsion, duke arsyetuar se ish-zyrtarë dhe drejtues të arrestuar apo nën hetim nuk kanë vepruar të vetëm.
“SPAK partnerin më të fortë e ka në këtë shesh. Belinda Balluku nuk ka vjedhur vetëm. Erion Veliaj nuk ka vjedhur vetëm. Të gjithë ata që janë sot në burg nuk kanë vjedhur pa Edi Ramën”, deklaroi protestuesja, ndërsa kërkoi që hetimet të shtrihen deri te nivelet më të larta të qeverisë.









