Ngjarja e fundit në Gramsh ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në një zonë ushtarake dhe përdorën agjentë kimikë kundër rojeve ushtarake pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare. Kërcënimeve të rusëve z. Rama iu përgjigj se funksionuan institucionet dhe ata janë në gjendje arresti.
Por çështja nuk qëndron vetëm në rrezikun që përbëjnë individë të caktuar që merren me spiunazh ose me veprime subversive dhe relativitetit që i bën kësaj çështjeje, qeveria duke dhënë fakte të reja për disa qytetarë çekë dhe veprimet e tyre në Poliçan. Nuk qëndron as në faktin që Shqipëria nuk ka sekrete të tilla dhe informacionet për këto baza dihen tashmë.
Problemi kryesor qëndron në qasjen që ka kjo qeveri në politikën e jashtme të saj dhe problemet e sigurisë kombëtare.
Shqipëria sot ka hapur kufijtë e saj për gjithë qytetarët serbë dhe atyre që vizitojnë Serbinë nëpërmjet projektit të “Ballkanit të Hapur”.
Politika e kësaj qeverie për interesa të ngushta nuk shikon si rrezik të sigurisë kombëtare prezencën në masë të serbëve, rusëve, të informatorëve të Qendrës së Nishit, apo biznesmenëve rusë, që qëndrojnë në Shqipëri me axhenda të dyfishta.
Nevoja për të rritur të ardhurat për turizmin dhe për të justifikuar parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, në një kohë kur Rusia dhe satelitët e saj po provokojnë dhe kërcënojnë të ardhmen e civilizimit perëndimor, nuk është naivitet por një politikë e caktuar interesash.
Z. Rama, nëpërmjet politikave të tij prioritare për të krijuar boshtin Beograd-Tiranë si element stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ka sakrifikuar interesat kombëtare të shqiptarëve dhe tashmë po rrezikon edhe sigurinë kombëtare të shqipërisë.
Ngjarja e fundit në uzinën e Gramshit është një ngjarje e përsëritur, ku një vit më parë informatorët kërkonin të fotografonin bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Politikat “liberale” të kësaj qeverie jo vetëm po rrezikojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ku ngjarja e Gramshit mund të kishte përfunduar në një tragjedi të përmasave të mëdha nëse informatorët do të tentonin ta hidhnin në erë (siç po kërkojnë rusët të nxisin akte terrorizmi dhe sabotimin si në Ukraine dhe më gjerë), por edhe krijimi i një klime pasigurie per forcat e NATO-s, të cilat veprojnë në Shqipëri, duke e parë Shqipërinë si një vend vulnerabël.
Retorika boshe e Ramës, klientelizmi dhe përkushtimi ndaj Perëndimit është një balonë që naivët e Perëndimit nuk duan apo nuk e kuptojnë.
Plani i qeverisë autokrate-kleptokratike të Ramës është i qartë: Një Ballkan i Hapur, një Jugosllavi e re e paangazhuar dhe e hapur ndaj vendeve të tjera si Rusia dhe Kina, një projekt që do të mundësojë dinastinë Rama-Vuçiç për shumë kohë në Ballkan.
Asnjë regjim që ka si qëllim pasurimin e klikës së tij duke abuzuar me pasurinë e popullit nuk mund të përkushtohet edhe të besojë në filozofinë e shoqërisë Perëndimore.
Politika qeverisëse që bazohen në kapjen e shtetit, lidhjen me krimin dhe drogën për të siguruar mbijetesën dhe pasurimin e mëtejshëm janë të destinuara të dështojnë.
Shqipëria ka nevojë dëshpëruese për ndryshim, populli duhet të marrë në dorë fatet e tij.