Ndërkohë që vijon shembja në resortin e Irfan Hysenbelliut në Golem dhe teksa mediat e tij kanë publikuar lejet me firmën e Edi Ramës, qeveria është gjithashtu në sulm mediatik duke treguar pretendimet e veta. Ministria e Brendshme ka publikuar një deklaratë tjetër dhe dokumente që tregojnë një anë tjetër të medaljes sipas saj.
“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik. Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit. Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.