Radha në urgjencën pediatrike në QSUT si në bankë, me bileta pritjeje

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar gjendjen në Urgjencën Pediatrike të QSUT-së, duke e krahasuar me një sportel banke. Ai thotë se prindërit detyrohen të marrin biletë me numra dhe fëmijët presin në radhë, në vend që të trajtohen sipas urgjencës.
Sipas tij, kjo bie ndesh me standardet mjekësore, pasi urgjencat duhet të funksionojnë me triazh dhe jo me numra. Situata rëndohet sidomos gjatë virozave, kur me qindra fëmijë përballen vetëm me dy mjekë dhe pak infermierë.
Stafa e quan të patolerueshme që fëmijët me temperatura apo probleme frymëmarrjeje presin në ambiente të mbushura, duke rritur rrezikun e infeksioneve. “Në vend që të shtohet personeli, është futur një makineri qesharake që e kthen urgjencën në bankë,” shkruan ai, duke shtuar se pediatria ka nevojë për staf e hapësira të barabarta me urgjencën e madhe të QSUT-së
Postimi i plotë:
URGJENCA PEDIATRIKE SI BANKË.
Në Urgjencën Pediatrike në QSUT, aty ku çdo ditë shkojnë me qindra prindër me fëmijët e tyre të sëmurë, sistemi është kthyer në tallje dhe absurditet, në trajtimin e të vegjëlve.
Në vend që një fëmijë i sëmurë të shihet menjëherë nga personeli mjekësor sipas urgjencës, prindërit detyrohen të shkojnë tek një makineri numrash, të marrin biletë, dhe të presin “radhën”, si në bankë!
Kjo është antishkencë mjekësore dhe abuzim me standardet e kujdesit shëndetësor, sepse urgjenca nuk funksionon me radhë, por me triazh(kategorizim urgjence), kush është më rëndë, trajtohet i pari.
Por absurdi nuk mbaron këtu:
Me qindra fëmijë në ditë, e sidomos në periudha virozash, përballen vetëm me 2 mjekë dhe 4 infermierë, të shpërndarë në vetëm 2-3 dhoma të vogla.
Fëmijët me temperatura, me të vjella, me probleme të frymëmarrjes, presin bashkë në një hapësirë të mbushur plot, duke përhapur infeksionet te njëri-tjetri.
Në vend që të zgjerohet kapaciteti dhe të shtohet personeli, institucionet kanë futur një makineri qesharake që e kthen urgjencën në sportel banke.
S’mundet Urgjenca Pediatrike, ku përplasen rastet nga e gjithë Shqipëria, të funksionojë si 2+1, dhe me 2 mjekë e 4 infermierë. E patolerueshme!
Urgjenca Pediatrike duhet të ketë hapsira, sa urgjenca tjetër e madhe e QSUT-së.
Fëmijët nuk janë “numra”! Ata kanë nevojë për kujdes, për prioritet dhe për dinjitet.
Shëndetësia nuk bëhet me bileta radhe, por me mjekë, infermierë dhe organizim të mirëfilltë.









