Në turin falenderues për zgjedhjet e 14 majit, kryeministri Rama u ndal sot në Vlorë ku kërkoi reflektim në mënyrë që, sic tha ai, gjërat e bëra keq deri më tani të mos vijojnë të bëhen keq.
Gjatë fjalës së tij kryeministri ka cilësuar një turp të madh Hipotekën e Vlorës. Rama nuk përmendi emra konkret, por kërkoi një “pastrim nga njerëzit e këqij” në Partinë Socialiste të kësaj dege.
Ai tha se PS-ja e Vlorës duhet të reflektojë në këtë drejtim, duke thënë se partia nuk duhet të jetë vendi ku njerëzit shihen “nga lart poshtë”.
“Hipoteka e Vlorë është turpi i PS së Vlorës dhe turpi i PS së Shqipërisë. Mora një shembull, ka edhe nga qeveria qendrore për njerëz që na kanë turpëruar, por këto shembuj na shërbejnë jo për të kthyer kokën pas dhe të themi që s’kemi punë, por të na shërbejnë që këto gjëra të mos ndodhin më dhe njerëzit e këqij të mos kenë më vend në asnjë vend ku PS do përfaqësohet, pavarësisht se me kë janë të lidhur, se me kë kanë krushk, apo komshi. Është e rëndësishme që në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim dhe të jetë fytyra dhe dinjiteti, angazhimi dhe dashuria e atyre që votuan PS, jo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lart duke i parë njerëzit nga lart poshtë. Njerëzit e mirë dhe të përkushtuar duhet ta gjejnë vendin”, tha Rama.
Hipoteka e Vlorës ka qenë në qendër të vëmendjes së qeverisë qendrore, për shkak të akuzave për tjetërsim pronave dhe korrupsion, që është shoqëruar me ndërrim të shpeshtë të drejtorëve pasi qëndronin në detyrë vetëm pak muaj.
Së fundmi drejtori Erdet Mandi dhe disa zyrtarë janë paditur në SPAK nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pas verifikimeve të kryera, janë evidentuar shkelje të rënda në dhënien e lejes së legalizimit dhe titullit të pronësisë për një obejkt në cënim të truallit të Komunitetit Mysliman.