Kryeministri Edi Rama në konferencë për mediat tha se kundërshtarët politikë e kanë bërë kriminelë, duke thënë se asnjëherë nuk ka kryer ndonjë krim në jetë.
Rama deklaroi se paratë nuk kanë qenë kurrë tundim për të. Ai tha se shtëpinë e ka ndërtuar me paratë e tij e të bashkëshortes.
“ Çfarë nuk kanë fantazuar për shtëpinë time. Ajo shtëpi është ndërtuar me paratë nga puna nga unë dhe gruaja ime. Kush më njeh e di që paraja nuk ka qenë tundim për mua. Vetëm shpifin ndaj meje, politikanë të pasuruar nga politika. Të gjejnë një kokërr leku ose një fakt të vetëm që të provojnë se unë nuk jam ky që jam dhe unë iki vetë.
Nuk e gjejnë dot faktin. Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge. Nuk jam kriminel, nuk kam bërë kurrë një krim, nuk jam lyer kurrë me para të pista. Po, ka pasur njerëz të PS që kanë qenë subjekte të SPAK dhe këto janë fryte të reformës në drejtësi. Në këtë Shqipëri vendos vetëm populli e jo krimi. Nuk ka vendosur kurrë krimi se kush bëhet politikan”– tha Rama.