Ray J: Kim dhe Kris Jenner po gënjejnë për videon intime

Reperi Ray J dhe nëna e tij kanë akuzuar Kim Kardashian dhe Kris Jenner se kanë gënjyer nën betim lidhur me videon intime të vitit 2007 që përfshinte Kardashian dhe reperin.
Kardashian dhe Jenner i kanë quajtur pretendimet e Ray J – se ato organizuan publikimin e videos – “gënjeshtër” dhe “plotësisht të pavërteta” në deklarata të dorëzuara të mërkurën në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit.
Në deklaratën e saj, Jenner u shpreh se është thellësisht e prekur nga akuzat.
“Si nënë, ideja se unë kam organizuar ose prodhuar një video intime që përfshin vajzën time, apo se kam qenë e përfshirë në krijimin apo shpërndarjen e saj, është jo vetëm plotësisht e pavërtetë, por edhe thellësisht fyese dhe e dëmshme,” tha ajo.
Ajo shtoi se ishte “e shkatërruar dhe e tronditur” kur momentet më private të vajzës së saj u bënë publike.
Në deklaratën e saj, Kim Kardashian tha se ka shpenzuar para për të përballuar pretendimet e Ray J, përfshirë terapi dhe këshilltarë ligjorë e komunikimi.
“Pretendimi i tij se unë dhe nëna ime kishim një plan për të publikuar videon intime, për të mashtruar publikun dhe për të ngritur një padi të rreme për të krijuar vëmendje, është një gënjeshtër,” deklaroi ajo.
Megjithatë, Ray J reagoi menjëherë, duke pretenduar se Kardashian dhe Jenner “kanë gënjyer për gjithçka”.
“Janë në rregull mendërisht? Nëse gënjen nën betim, a nuk shkon në burg apo nuk dënohesh me gjobë?” tha ai në një intervistë për TMZ.
Ai shtoi se fëmijët e tij nuk meritojnë të rriten duke menduar se ai ka bërë diçka si hakmarrje pornografike apo ka lënduar dikë qëllimisht.
Edhe nëna e tij, Sonja Norwood, reagoi publikisht në rrjetet sociale duke mbrojtur djalin.
“Nuk do të rri më duke parë djalin tim të sulmohet në rrjetet sociale për këtë çështje, kur Ray J, unë, Kris dhe Kim – dhe shumë të tjerë – e dimë të vërtetën,” shkroi ajo.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt Jenner: “Nëse thua se nuk e organizove publikimin komercial të videos, atëherë kush e bëri?”
Norwood shtoi se do ta mbështesë djalin e saj në përpjekjen për të zbuluar të vërtetën, pavarësisht sa e gjatë apo e vështirë mund të jetë kjo betejë.
Në nëntor 2025, Ray J ngriti një padi kundër Kim Kardashian dhe Kris Jenner, duke pretenduar se ato ishin përgjegjëse për publikimin e videos intime.
Padia erdhi pasi Kardashian dhe Jenner e kishin paditur më parë reperin në tetor 2025 për pretendime të lidhura me shantazh dhe shpifje. Në deklaratën e saj, Jenner e akuzoi Ray J se për dy dekada ka “terrorizuar publikisht” vajzën e saj duke folur vazhdimisht për këtë çështje në media për të mbajtur vëmendjen ndaj vetes.











