Nga Oerd Bylykbashi – Ditën e enjte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vendosë për të pranuar vetëm njërën nga dy kërkesat e bëra dy kampet në Partinë Demokratike.
Deputeti Oerd Bylykbashi thotë se KQZ është para dy opsioneve në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit ose të pranojë formalisht falsitetin që sipas tij është regjistrimi në fletët e votimit të Lulzim Bashës si kryetar i PD ose të vërë në vend drejtësinë duke e refuzuar diçka të tillë.
Në një postim në Facebook, Bylykbashi ka sqaruar se vërtetimi i lëshuar nga Regjistri i Partive Politike pranë Gjykatës së Tiranës se kryetar i PD është Lulzim Basha, të cilës KQZ do t’i referohej në rast të njohjes në fletët e votimit të Bashës si kryetar i PD, ka tre probleme juridike.
Së pari sipas Bylykbashit, zgjedhja e Lulzim Bashës është ankuar në gjykatë që në qershor 2021 nga rivalja në garë Edith Harxhi. Pra nuk është finale. Së dyti, Lulzim Basha u shkarkua nga Kuvendi i PD i 11 dhjetorit 2021. Gjykata e Apelit nuk rrëzoi Kuvendin e 11 dhjetorit, por vendimin e gjykatës që urdhëroi regjistrimin e tij në Regjistrin e Partive dhe urdhëroi rishqyrtimin e tij, përfshirë shkarkimin e Lulzim Bashës dhe së treti Lulzim Basha dha dorëheqjen më 21 mars 2022.
“Po trajtoj vetëm dorëheqjen. Kushtetuta dhe ligji e njohin dorëheqjen si mekanizëm kryesor për përfundimin e parakohshëm të një mandati kushtetues (presidenti, deputeti, kryeministri, etj) apo ligjor. Kur jepet dorëheqja nuk ka diskutim sepse është akt individual vullneti. Pasoja është përfundimi i menjëhershëm i mandatit.
Për t’u rikthyer në mandat duhet që personi të rizgjidhet apo riemërohet. Statuti i PD ka të njëjtat parashikime. Kur një kryetar dorëhiqet, duhet zgjedhur një i ri. Në periudhën e ndërmjetme, Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë një nga nënkryetarët që të ushtrojë përkohësisht detyrën e kryetarit, deri sa të zgjidhet i riu (jo deri sa të zgjohet i vjetri).
Pra, pa llogaritur që demokratët e shkarkuan edhe me referendum më 18 dhjetor 2021, Lulzim Bashës i ka mbaruar mandati edhe me statutin e tij të korrikut 2021. Meqenëse Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur të zgjedhë një nënkryetar të përkohshëm, nuk ka një kryetar në detyrë as sipas atij statuti të Bashës që më pas u shfuqizua më 11 dhjetor 2021” – shkruan Byklykbashi.
“Të vesh në fletën e votimit emrin e Lulzim Bashën si kryetar të PD, pavarësisht se PD ka zgjedhur kryetarin e saj, është konfuzionim, keqdrejtim dhe mashtrim i qëllimshëm i zgjedhësve. Është po aq e paligjshme sa Lulzim Basha të linte shtetësinë shqiptare. Ky fakt të mos regjistrohej, ai të dilte në listën e zgjedhësve, dhe më 14 maj vinte e të votonte me buzëqeshjen e tij prej kopertine para kamerave, pa u skuqur. Ndaj KQZ është para sprovës më të madhe në 32 vite: Do të bëjë drejtësi duke regjistruar PD që ka përcaktuar vota e anëtarëve, apo do të regjistrojë një vulë që i ka humbur kryetari?” – shkruan deputeti i PD.