Rihanna largohet nga Beverly Hills pas sulmit në shtëpinë e saj

Rihanna është larrguar nga Los Angeles pas një incidenti në shtëpinë e saj në Beverly Hills, ku një grua e armatosur gjuajti drejt pronës së këngëtares.
Policia e Los Angeles reagoi ndaj thirrjeve për të shtënat rreth orës 13:15 të së dielës, dhe burimet thanë për Los Angeles Times se Rihanna ishte në shtëpi në atë moment, por fatmirësisht askush nuk u lëndua. Autoritetet arrestuan 35-vjeçaren Ivanna Lisette Ortiz, e cila përdori një armë të tipit AR-15 dhe gjuajti nga një makinë drejt shtëpisë, duke depërtuar një plumb në murin e vilës.
Policia gjeti shpejt makinën e saj, një Tesla e bardhë, rreth 13 kilometra larg në qendrën tregtare Sherman Oaks Galleria, ku Ortiz u arrestua. LAPD njoftoi se gjatë kontrollit të automjetit u gjet një pushkë automatike dhe shtatë fishekë.
Kjo nuk është hera e parë që Rihanna përballet me incidente në pronën e saj. Në vitin 2018, një person hyri në mënyrë të paligjshme në rezidencën e saj në Hollywood Hills pasi kapërceu gardhin.
Sipas prokurorisë së qarkut të Los Angeles, ai qëndroi brenda shtëpisë për rreth 12 orë para se të zbulohej nga një prej asistentëve të këngëtares. Më pas ai pranoi fajin për ndjekje dhe iu ndalua t’i afrohej artistes për 10 vjet.









