Rreth 1100 efektivë policie do të jenë të gatishmëri për protestën e opozitës sot para parlamentit. Gjithë perimetri i godinës së seancave plenare do të jetë i rrethuar me uniforma blu. Mësohet se në të gjithë zonën janë shtuar masat e sigurisë. Në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e anësore të parlamentit.
Forca të shumta të policisë si dhe efektivë të Gardës do të jenë të vendosura edhe në pjesën anësore nga krahu i “Pedonales” nga pritet të bëhet edhe hyrja e deputetëve. Policia do marrë masa edhe për bllokimin e rrugëve, ku rreth orës 15:00 do të ketë kufizime të qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” dhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit.