Rruga e vdekjes në Fier: 1 kilometër pa trotuar, pa ndriçim që rrezikon jetën e mijëra banorëve. (foto e video)

Fier – Rruga e vdekjes në Fier: 1 kilometër pa trotuar, pa ndriçim dhe pa siguri,
aks pa standarde që rrezikon jetën e mijëra banorëve.
Mungesa e infrastrukturës dhe sinjalistikës në një segment vetëm një kilometër të gjatë, që lidh qytetin e Fierit me lagjet Zhupan, Drizë, Peshtan i Vogël është kthyer ndër vite në një burim aksidentesh, shpesh me pasoja fatale. Rruga, që shërben si pjesë e aksit nacionale Fier–Levan, ka një trafik të përditshëm tejet të rënduar, ndërsa banorët që lëvizin në këmbë apo me biçikleta bëhen çdo ditë pjesë e një rreziku të vazhdueshëm.
Banorët ecin mes makinave: “Çdo ditë e kemi me risk”








Banorët e këtyre lagjeve, të detyruar të përdorin të njëjtin segment për të shkuar e ardhur nga Fieri, thonë se prej vitesh jetojnë me ankthin e një aksidenti të mundshëm. Mungesa e trotuareve, sinjalistikës, por sidomos mungesa totale e ndriçimit në orët e mbrëmjes ka bërë që kalimi të jetë i rrezikshëm në çdo kushte atmosferike.
“E kalojmë në këmbë dhe me biçikleta këtë rrugë çdo ditë, por frika nuk na ndahet. Makinat ecin me shpejtësi dhe ne nuk kemi asnjë mbrojtje,” shprehen banorët.
Rrugë e ngushtuar dhe pa investime: “Na duan vetëm për vota”





Banorët tregojnë se historikisht kjo rrugë ka qenë pa trotuare e pa ndriçim, por ajo që i shqetëson më shumë është fakti se gjendja ka shkuar drejt përkeqësimit. “Rruga ka qenë 8 metra e gjerë, por sot është vetëm 6 metra. E kanë ngushtuar dhe nuk e kanë përmirësuar,” thotë një banor i lagjes Drizë.
I njëjti banor shton me indinjatë: “Na duan vetëm për votat. Pas zgjedhjeve nuk kujtohen më për ne.”
Aksidentet me plagosje dhe vdekje, por asnjë reagim institucional
Në këtë aks kanë ndodhur vazhdimisht aksidente rrugore, disa prej të cilëve me pasoja tragjike. Megjithatë, pavarësisht numrit të lartë të incidenteve, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërhyrë asnjëherë për të vendosur ndriçim, sinjalistikë apo trotuare mbrojtëse.
Banorët mbeten të habitur se si një segment që përshkohet nga mijëra automjete çdo ditë dhe që përdoret nga rreth 3 mijë banorë në këmbë, vazhdon të jetë i lënë në harresë.
Urgjencë për ndërhyrje: 3 mijë banorë presin zgjidhje
Ky kilometër rrugë, i cili tashmë është pjesë e bashkisë Fier, kërkon një ndërhyrje të menjëhershme. Vendosja e trotuareve, ndriçimit publik dhe tabelave paralajmëruese do të reduktonte ndjeshëm rrezikun dhe do t’u garantonte banorëve një lëvizje të sigurt.
Banorët apelojnë që institucionet të mos presin viktima të tjera përpara se të ndërhyjnë: “Mjaft më me premtime. Duam një rrugë të sigurt, jo një rrugë që na rrezikon jetën çdo ditë.”/ALB365/Xhemil Beharaj











