Ndërsa vendimi i Edi Ramës për të rritur çmimin e energjisë elektrike nga data 1 tetor ka nisur një luftë numrash për partitë politike, qytetarët janë të paqartë nëse do të detyrohen të paguajnë më shumë për korentin, dhe nëse po, sa më shumë.
Deputetja Jorida Tabaku postoi sot në Facebook tre shembuj të ndryshimit të faturës së energjisë me kalkulimin e ri.
Rasti i parë: Nëse paguaje 102 mijë lekë të vjetra energji, me skemen e re paguan 141 mijë lekë të vjetra.
Rasti i dytë: Nëse paguaje 114 mijë lekë të vjetra energji, me skemën e re paguan 182 mijë lekë.
Rasti i tretë: Nëse paguaje 125 mijë lekë, me skemën e re paguan 242 mijë lekë. (tabela sipër)
Pra, sa më shumë shkon sipër vijës së kuqe të konsumit 800 kilovat/orë, aq më e madhe bëhet diferenca me çmimet fikse. Aq më shumë del në pah se konsumi i lartë i energjisë, mund edhe ta kalojë dyfishimin e faturës aktuale të shqiptarëve.
Rritja e çmimit është deri në 4-fish, siç shkruan në Facebook Jorida Tabaku. Deputetja thekson se janë plot 100 mijë familje që do të vuajnë nga këto rritje çmimesh.
Kryeministri i vendit jep një vlerësim tjetër. Sipas tik, janë rreth 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kilovat orë energji elektrike në muaj. Në kulmin e dimrit dhe verës, Rama thotë se shifra shkon afro 60 mijë familje. Dhe këtë e vë në kontekst me 1 milion e 90 mijë familje të tjera në vend. Sipas Ramës së këtyre javëve, këtu nuk gjendet krahasimi. Në një periudhë krize, kush nuk kujdeset, do të paguajë.
Për t’ju sjellë në vëmendje si përkthehet konsumi 800 kilovat orësh i një familjeje në muaj, po sjellim tabelën shpjeguese që nxorri Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës.