Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë më 20 shkurt 2024, në lidhje me çështjen e gazetarit Elton Qyno, të cilit i janë konfiskuar pajisjet në 13 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Më herët reaguan “Reporterët pa Kufij”, të cilët shprehën keqardhje të thellë për vendimin e Gjykatës së Lartë, vendim i cili minon jo vetëm punën profesionale të gazetarit Qyno, por të gjithë reporterëve në Shqipëri. Në të njëjtën linjë ishte dhe reagimi i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët u shprehën të shqetësuar për vendimin e Gjykatës së Lartë, që sipas UGSH minon punën e çdo gazetari tjetër në Shqipëri, duke vënë në rrezik të plotë punën raportuese të gazetarëve.
Reagimi:
Z Qyno, gazetar i Ora News, kundërshtoi ligjshmërinë e sekuestrimit të telefonave dhe kompjuterëve të tij në shtëpinë dhe zyrën e tij, duke pohuar se kjo cenon konfidencialitetin e burimeve gazetareske.
Siç u shpreh më parë nga Rrjeti SafeJournalists dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, veprimet e ndërmarra ndaj z. Qyno, përfshirë kontrollin e banesës dhe zyrës së tij dhe sekuestrimin e pajisjeve të tij personale dhe profesionale, krijuan një precedent shqetësues për sa i përket konfidencialitetit të burimeve për gazetarët dhe profesionistët e medias. në Shqipëri.
“Ndërkohë që ne e kuptojmë domosdoshmërinë e respektimit ligjor në procedurat gjyqësore, është thelbësore që veprime të tilla të përputhen me parimin e njohur ndërkombëtarisht të mbrojtjes së burimeve gazetareske. Ky parim nuk është vetëm kritik për të drejtat e gazetarëve, por është gjithashtu thelbësor për të drejtën e publikut për informim dhe shëndetin e përgjithshëm të një shoqërie demokratike.”
Dorian Matlija, avokati që përfaqëson z. Qyno, njoftoi synimin e tyre për të paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ai argumentoi se, me vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka shkelur vendimin e saj detyrues, i cili në mënyrë të qartë përshkruan procedurat dhe standardet që prokuroria duhet të ndjekë kur kërkon burime nga gazetarët profesionistë.
“Rrjeti SafeJournalists pret zbulimin e plotë të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Lartë dhe kërkon që të ruhet konfidencialiteti i burimeve të gazetarëve. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë rast. Çdo sulm ndaj gazetarëve prek interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve”.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 27 shkurt 2024
-Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
-Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
-Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
-Sindikata e Mediave të Malit të Zi