SPORT

Sait Prizreni zbardh incidentin dhe çfarë i tha zyrtari rus pas dhënies së medaljes

Duke folur në emisionin “People” në Euronews Albania, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sait Prizreni, tregoi detaje nga incidenti në Sllovaki në momentin e shpërndarjes së medaljeve, ku Presidenti i Federatës Ruse, Mikhail Mamiashvili bëri një sjellje skandaloze ndaj përfaqësuesit të Shqipërisë, Chermen Valiev.

Prizreni tha se i ka takuar të dyja palët pas incidentit dhe e quajti moment emocional nga ana e Mamiashvilit, ndërsa shtoi se e kishte pyetur nëse kishte ndonjë problem, ku ai ishte përgjigjur “absolutisht jo” dhe ishin përqafuar.

“Sigurisht që kam biseduar me sportistin po ashtu dhe me presidentin e Federatës Ruse. Është një moment emocional, sepse fakti që ne kemi mundur sportistin më të mirë që ka sot Rusia, më të mirë që ka Federata Botërore e Mundjes, Kampionin Olimpik, Kampionin e Botës, Kampionin e Europës, do të thotë që askush nuk është i kënaqur dhe ne i kemi rrëmbyer Rusisë një djalë të talentuar që tashmë është transformuar.

Pas 4 humbjeve radhazi me këtë sportist, ai e ka mundur në Kampionatin e Europian. Këto janë gjëra që unë i quaj emocionale nga ana e presidentit të Federatës Ruse të Mundjes. Presidentin e Federatës Ruse të Mundjes e takova dhe e pyeta nëse ka ndonjë problem.

Ai më tha se “nuk ka asnjë problem”. Ai nuk është këtu sot, ne njohim njëri-tjetrin prej vitesh, ai është mik i imi dhe i mundjes. Më tha që nuk ka asnjë problem, më dha një përqafim dhe kaq ishte. Më pas, kemi qenë duke festuar dhe nuk kemi pasur kohë të merremi me këtë pjesë” – tha Prizreni.

Ai tha se ka qenë aty kur ka ndodhur incidenti dhe ka parë gjithë skenën, ndërsa nga biseda që ka zhvilluar më pas me mundësin Valiev, ai i ka thënë në një farë mënyre se Presidenti i Federatës Ruse e ka quajtur si “tradhtar”, në kuptim që ai ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë.

“Unë kam qenë në krah të djathtë të podiumit dhe e kam parë gjithë skenën. Nuk e di se çfarë i ka thënë, por në një farë mënyre, me atë që më ka thënë vetë sportisti, ai e ka quajtur në një farë mënyre tradhëtar, se pse e ka lënë Rusinë për Shqipërinë. Dhe unë takova vetë sportistin.

Absolutisht nuk është një moment i mirë për sportistin dhe për komunitetin e mundjes, ku të gjithë po flasin për këtë rast. Dhe sado që ne duam ta justifikojmë, nuk e mbrojmë dot dhe ndjehem i keqardhur për atë që duket. Por sigurisht jam i ekzaltuar për arritjet tona në Sllovaki, sepse kemi sjellë një titull europian dhe kjo është ajo që duhet të flasim dhe promovojmë” – tha Prizreni.

Skandali ndodhi gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë ku Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, ka pasur një mllef të madh ndaj mundësit rus Chermen Valiev, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Sipas Komitetit Olimpik Shqiptar, para se t’i vendoste medaljen, Mamiashvili e ka quajtur përfaqësuesin rus të Shqipërisë “tradhtar”, ndërsa ia ka vendosur në mënyrë arrogante dhe me forcë medaljen në qafë. Në fund, i ka shtrënguar me forcë të dyja duart, shoqëruar me një buzëqeshje ironike. /Euronews Albania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button