Është tensionuar edhe më tepër gjatë mbrëmjes situata në Veri të Kosovës, aty ku serbët duket se kanë nisur trazirat duke vendosur barrikadat në rrugët lidhëse me pikat kufitare, por kanë nisur të përdorin edhe armët e zjarrit.
Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësive policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
“Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftimin më të fundit nga Blutë e Prishtinës.
Ndërkohë më herë, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi mbylljen e vendkalimeve kufitare me Serbinë, përkatësisht në Bërnjak dhe Jarinë.