Thursday, July 18, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTASHBA, Britania dhe Gjermania: Të lirohen menjëherë 3 policët kosovarë

SHBA, Britania dhe Gjermania: Të lirohen menjëherë 3 policët kosovarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë bërë thirrje për lirimin e 3 policëve kufitar të Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës pretendojnë se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovë nga forcat serbe.

Autoritetet në Serbi thonë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar. I dërguari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ka thënë të premten gazetarëve se e kanë ndjekur “rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës”.

“Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka theksuar Escobar.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se vendi i tij bën thirrje “për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të arrestuar më 14 qershor”.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”.

Autoritetet serbe kanë thënë se në këtë fotografi janë zyrtarët e arrestuar të Policisë së Kosovës. Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur thirrjet ndaj kryeministrit Kurti që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësiti special i Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri. Gjithashtu, janë kërkuar zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës “që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të qetësuar situatën në kufi”.

“Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë. Njerëzit në të dy vendet kanë nevojë për perspektiva që konflikti i ka frenuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Baerbok në Twitter.

Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, “i rrëmbyen” 3 policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të futen në objektet e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Këto objekte shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët. Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb. /REL

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME