SHBA, mesazh “bombë” Rames direkt nga zyra e ministrit të ri të Drejtësisë, tronditet qeveria Rama

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zgjedhur të zhvillojë një tur vizitash në institucione të caktuara të shtetit Shqiptar, nëpërmjet të cilave përcjell pranë drejtuesve përkatës mesazhet e bashkëpunimit midis SHBA dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme. Vizita e të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn në institucionet kyçe të shtetit shqiptar nuk është një akt rutinë diplomatik, por një sinjal i qartë i ndryshimit të paradigmës së marrëdhënieve SHBA–Shqipëri.
Në një kohë kur qeveria shqiptare përpiqet të ruajë narrativën e progresit institucional dhe të integrimit europian, diplomacia amerikane ka zgjedhur të flasë me gjuhën e luftës penale, duke e zhveshur komunikimin nga formulat e zakonshme dhe duke e kthyer në një mesazh të drejtpërdrejtë: Shqipëria është pjesë e hartës së karteleve të drogës dhe strukturave që i mbështesin. Urdhri Ekzekutiv Nr. 14157, i nënshkruar nga Presidenti Donald Trump më 20 janar 2025, e trajton trafikun e drogës si terrorizëm ndërkombëtar, duke e kategorizuar si FTO/SDGT – organizata të huaja terroriste dhe subjekt i sanksioneve globale.
Ky urdhër nuk është thjesht një instrument ligjor amerikan, por një deklaratë lufte ndaj strukturave që përmes krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe kapjes së institucioneve, kanë krijuar një sistem paralel pushteti. Në këtë kontekst, vizita e VanHorn në zyrën e Ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari nuk mund të lexohet si një takim rutinë. Ndërsa ministri përpiqet ta paraqesë si një diskutim mbi reformën në drejtësi dhe rrugën drejt BE-së, Ambasada Amerikane e rrëzon këtë flluskë me një deklaratë të prerë: bashkëpunimi fokusohet në drejtësinë penale dhe luftën kundër krimit të organizuar. “Koordinimi efektiv me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të Administratës Trump”, thuhet në postimin zyrtar të Ambasadës.
SPAK-u, në qendër të aleancës me SHBA
Por ky mesazh nuk është i izoluar. Në konferencën e OSBE-së të mbajtur më 10 shtator 2025, VanHorn deklaroi se “grupet kriminale ballkanike janë të adaptueshme, përdorin komunikime të enkriptuara, financa të paligjshme dhe lidhje të korruptuara. Ato janë të dhunshme, rrezikojnë qytetarët dhe gërryejnë besimin në institucionet publike.
Dhe, siç e dini, ndikimi i tyre shkon përtej Ballkanit – janë ndërmarrje globale”. Ajo shtoi se “kriminelët shqiptarë po bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine – kartele që Presidenti Trump i ka shpallur organizata terroriste”. Goditjet e fundit të SPAK dhe agjencive ligjzbatuese kanë zbërthyer mekanizmin e funksionimit të karteleve shqiptare, të cilat nuk varen më nga trafiku klasik i drogës, por nga pastrimi i parave përmes projekteve publike.
Në përgjimet e publikuara, thuhet shprehimisht: “Nuk kemi nevojë për kokainë, kemi tenderat.” Kjo frazë groteske sintetizon realitetin e ri: shteti është kthyer në burim të të ardhurave për krimin e organizuar. Dhe kur ky krim mbështetet nga vendime qeveritare, ai nuk është më thjesht korrupsion – është terrorizëm ekonomik. Deklaratat e Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër, se “Rama ulej me bandat dhe ndanin trojet duke ngrënë qofte”, nuk janë thjesht folklor politik.
Ato janë dëshmi të një modeli qeverisës ku krimi nuk është i jashtëm, por i brendshëm, i integruar në vendimmarrje. Në këtë kontekst, SHBA nuk mund të bashkëpunojë me një qeveri që është pjesë e problemit. Prandaj, mesazhi i VanHorn është një refuzim i diplomacisë klasike dhe një përqafim i luftës penale. Ajo nuk takon rastësisht drejtuesit e institucioneve kyçe – ajo i sinjalizon atyre se bashkëpunimi me SHBA nuk do të kalojë më përmes qeverisë, por përmes strukturave të drejtësisë penale.
Takimi i VanHorn me kreun e SPAK, Altin Dumani, më 18 shtator 2025, e përforcon këtë mesazh. Sipas Ambasadës, diskutimet u fokusuan në “forcimin e bashkëpunimit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, përpjekjet e përbashkëta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të drogës”. Dumani kishte vizituar më herët Washingtonin, ku u takua me zyrtarë të lartë të Administratës Trump, përfshirë Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë. Kjo vizitë nuk ishte thjesht protokollare – ishte një sinjal se SPAK është partneri i besuar i SHBA në Shqipëri, jo qeveria.
Shqipëria në rrezik të barazohet me kartelet
Nëse deri dje Shqipëria shihej si një vend me probleme të korrupsionit, sot ajo është në hartën e karteleve që plotësojnë kriteret për t’u shpallur organizata terroriste. Urdhri Ekzekutiv 14157 nuk është një deklaratë e përgjithshme – është një mjet ligjor që mund të përdoret për të sanksionuar individë, struktura dhe qeveri që mbështesin kartelet.
Dhe nëse Shqipëria nuk distancohet nga këto struktura, ajo rrezikon të përfshihet në listën e vendeve që nuk janë më partnere, por objekt hetimi. Ashtu si e ka parashikuar gazeta SOT në një shkrim të datës 01 shtator 2025, për sa i përket urdhrit të Presidentit të SHBA, se do të ketë një intensifikim të luftës të strukturave speciale kundër terroristëve të drogës, vihet re thuajse në të gjitha deklaratat e zyrtarëve amerikanë lufta pa kompromis ndaj karteleve të drogës.
Deklarata e DASH për gazetën SOT më 13 gusht 2025, ku thuhet se “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave”, shënon një pikë të re kthese në raportet amerikane me shtetin shqiptar. Kjo nuk është një ftesë për bashkëpunim të barabartë – është një paralajmërim për çmontim. Nëse Shqipëria nuk distancohet nga strukturat që mbështesin kartelet, ajo do të trajtohet si pjesë e problemit. Dhe në këtë luftë, nuk ka vend për diplomaci të butë. Ka vend vetëm për hetim, sanksion dhe çmontim.









