Qeveria shqiptare ka informuar ministrinë e Jashtme të Izraelit se po e rishqyrton vendimin e saj për të emëruar biznesmenen dhe këngëtaren izraelite Nicol Reidman si Konsulle Nderi të Shqipërisë në Izrael. Reidman është një figurë mjaft popullore në vendin e saj për shkak të pjesëmarrjes në një show të njohur televiziv.
E lindur në Ukrainë ajo është e martuar me një miliarder uzbek. Mediat izraelite shkruajnë se Reidman u përzgjodh si kandidate për postin simbolik në fillim të këtij viti, por Ministria e Jashtme e Izraelit ka marrë tashmë një njoftim nga qeveria shqiptare për tërheqjen e kandidaturës.
Mediat izraelite shkruajnë se ky vendim i Shqipërisë konsiderohet si një dukuri e rrallë në qarqet diplomatike, veçanërisht pasi një kërkesë zyrtare për emërimin e saj në postin simbolik i ishte bërë tashmë Ministrisë së Jashtme. Reidman është një mike personale e Sara Netanyahu, gruas së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Konsulli i Nderit është një pozicion simbolik që i jep bartësit privilegje diplomatike, një pllakë zyrtare në derën e shtëpisë dhe mundësinë për të përfaqësuar vendin e emërimit në ngjarje dhe për të promovuar marrëdhëniet midis vendeve.
Ajo që mediat izraelite e shohin me dyshim është se anulimi ka ndodhur vetëm 3 ditë përpara ceremonisë së prezantimit të Reidman në detyrën e re. Nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar nga ministria e jashtme e Izraelit apo dhe ajo e Shqipërisë. Pak ditë më parë Izraelin e vizitoi kryeministri Edi Rama