S’ka vende varrimi në fshatin Baltëz, banorët zhvarrosin të afërmit për t’i rivarrosur

Fier – Në varrezat e fshatit Baltëz të Fierit nuk ka më vende për të varrosur banorët që ndërrojnë jetë. Bashkia ka pohuar se do blejë dy dynym sipërfaqe toke, por pronari i tokës nuk është dakord me çmimin e blerjes të ofruar nga bashkia. Në këto kushte familjarët po zhvarrosin të afërmit për t’i rivarrosur së bashku me atë që ndërron jetë.
Në varrezat e fshatit Baltëz të Fierit nuk ka më vend për të varrosur personat që ndërrojnë jetë. Banorët dhe kryeplaku i fshatit pohojnë se banorët po zhvarrosin të afërmit për t’i rivarrosur së bashku me atë që ndërron jetë.
Në kushte të tilla bashkia e Fierit ka marrë masa dhe ka nisur procedurat për blerjen e dy dynum toke pranë varrezave për të shtuar sipërfaqen e tokës së varrezave.




Por me vendimin që pritet të marrë këshilli bashkiak nuk është dakord pronari i tokës Murat Murati i cili thotë se ka pasur sipërfaqe toke por një pjesë e mori Bypassi me çmim qesharak, e tanimë do ta marrë bashkia me çmim sipas tij të papërfillshëm.
Edhe pse nga bashkia e Fierit është vendosur të merren dy dynym tokë me çmim tregu, pronari është kundër.
E ndërkohë që pritet dakordësia mes bashkisë Fier dhe pronarit të tokës banorët e katër fshatrave që përbëjnë mbi 800 familje nuk kanë më hapësira për të varrosur të afërmit që ndërrojnë jetë.