AKTUALITETTECH

Skandali ‘Toyota Yaris’/ Mediat belge: Rasti, test për integrimin në BE

Skandali i miliona eurove të fshehura në makinat Toyota ngec në instancën e parë gjyqësore në Bruksel. Çështja shkaktoi shumë bujë në vitin 2018. Pothuajse 3.5 milionë euro u zbuluan në Shqipëri, të fshehura në makinat e blera në Belgjikë. Një skandal ku përfshihen qarqet politike dhe kriminale

Nga Tony Chalot, DH NET

Këtë të mërkurë, Gjykata Penale e Brukselit ka dhënë një vendim që pritet të shkaktojë bujë të madhe.

Ajo ka shpallur moskompetencën për të gjykuar dosjen ‘Toyota’, një skandal që përfshin botën kriminale dhe atë politike në Shqipëri.

Lajmi konfirmohet nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, mes tyre av. Kamran Najib, av. Quentin dhe Jean-Philippe Mayence, av. Olivier Martins, av. Sven Mary, av. Dimitri de Béco dhe av. Johan Heymans.

Dosja ishte ndjekur nga Prokuroria Federale pasi në korrik 2019 një kamion që transportonte automjete Toyota, të blera në Belgjikë, u sekuestrua në një port në Shqipëri.

Në dy prej automjeteve ishin fshehur 3.5 milionë euro dhe 100 mijë franga zvicerane, para që me shumë gjasë vinin nga veprimtari kriminale e rrjeteve belgo-shqiptare.

Prokuroria federale kishte shkuar në vendngjarje

Një delegacion i Prokurorisë Federale kishte udhëtuar në Shqipëri për të marrë në pyetje disa persona të përfshirë në këtë çështje, mes tyre edhe ish-ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Ky i fundit nuk është marrë i pandehur në procedurën belge. Në Belgjikë janë akuzuar 13 persona, të cilët janë nxjerrë përpara drejtësisë në Bruksel.

Çështja konsiderohet jashtëzakonisht e ndjeshme, pasi shihet si një provë paraprake për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një vend i goditur nga korrupsioni.

Ky skandal ka njollosur gjithashtu edhe gjyqësorin shqiptar.

Gjykata Penale vlerëson, ndër të tjera, se dosja nuk lejon të përcaktohet as koha, as vendi se ku janë futur paratë e dyshimta në skutat e automjeteve.

Kamioni, në fakt, ka kaluar nëpër disa shtete para se të sekuestrohej nga autoritetet shqiptare.

Prokuroria Federale ka ende mundësinë të bëjë apel kundër këtij vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button