Pamjet ajrore nga një helikopter i ushtrisë sllovene të premten tregonin shtëpi të zhytura nga uji në qytetin e Skofja Lokas.
Shirat e rrëmbyeshëm të përshkruar nga autoritetet që janë marrë me operacionet e shpëtimit si të përmasave “biblike” goditën Slloveninë veriore dhe perëndimore të premten.
Mediat lokale raportuan se helikopterët kishin evakuuar njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre në Skofja Loka, ku automjetet dhe kamionët u zhytën në ujë ose u morën nga përrenjtë.
Të shtunën banorët në qytetin slloven të s filluan të pastrojnë baltën nga ndërtesat dhe zjarrfikësit filluan të pastrojnë degët e rëna të pemëve, pasi shirat e rrëmbyeshëm goditën zonën duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë dhe ndërprerje të trafikut.
“Kjo është hera e parë që situata është kaq e keqe. Ka ndodhur një herë në vitin 1990, megjithëse kishte shumë më pak përmbytje. Tani është e tmerrshme, kemi vendosur edhe mbrojtje nga uji në dyer, por asgjë nuk ndihmoi, uji mori gjithçka përpara, ishte e tmerrshme”, thotë Vikica Jericek, pronare e një restoranti që u dëmtua rëndë gjatë përmbytjeve.
Ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat e përmbytura dhe bënë thirrje publike për gomone në vendet ku rrugët ishin të mbyllura dhe të pakalueshme për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
“Është e qartë që ka ndryshuar klima; nuk ka pasur përmbytje të tilla në gusht, ndoshta vetëm në nëntor”, thotë më tej zonja Jericek.
Agjencia e Mjedisit e Sllovenisë ka lëshuar një paralajmërim të nivelit të lartë kundër përmbytjeve në shkallë të gjerë./VOA/