Sot mbyllen aplikimet për drejtorin e Policisë së Shtetit, emrat e kandidatëve

Sot është afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Deri më tani kanë paraqitur kandidaturën dy drejtues policie, Elidon Çela, aktualisht drejtor i Policisë së Vlorës, dhe Pëllumb Seferi, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë pritet që në orët në vijim të dorëzojnë aplikimet edhe disa emra të tjerë, mes tyre drejtori i Policisë së Fierit Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së Durrësit Afrim Tafa, drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.
Sipas procedurës ligjore, pas mbylljes së afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme do të publikojë në faqen zyrtare listën e kandidatëve. Më pas, brenda 10 ditëve, një komision i posaçëm me tre anëtarë, i kryesuar nga një zëvendësministër i Brendshëm dhe me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, do të bëjë vlerësimin e kandidatëve.








