Sot zbatohet amnistia për të dënuarit.1335 persona që përfitojnë lirimin nga qelia dhe ulje dënimin

Nga Elton Qyno – Syri.net/
Këtë të mërkurë, ka filluar zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, më 18 qershor 2026 dhe u dekretua nga Presidenti, Bajram Begaj më 30 qershor.
Zbatimi i amnistisë po kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Prokuroritë e Rretheve dhe Gjykatat e Rretheve.
Mësohet se nga ky ligj përfitojnë 1335 persona të dënuar, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.
Amnistia zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur.
Amnistia parashikon lirimin e burrave të dënuar me burg deri në tre vjet ose me dënime më të lehta, si dhe të grave të dënuara me burg deri në katër vjet.
Përfitojnë edhe të burgosurit që janë duke vuajtur dënimin dhe u kanë mbetur deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë.
Një nga kriteret kryesore është edhe mosha. Përfitues janë burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të rasteve kur janë dënuar për vepra të rënda që nuk përfshihen në amnisti.
Jashtë këtij ligji mbeten personat e dënuar për vrasje me dashje, krime kundër jetës, krime kundër njerëzimit, përdhunim, krime seksuale, trafikim të qenieve njerëzore dhe një sërë veprash të tjera të rënda penale.
Kujtojmë se nga kjo amnisti nuk përfitojnë as personat që janë fshehur, janë arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimeve penale.
Amnistia, nuk zbatohet as për personat që janë gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo për çështjet që janë në juridiksionin e SPAK, pavarësisht veprës penale për të cilën janë dënuar.

Amnistia në Burgun e Fierit, Lirohen 104 të dënuar, 210 të tjerë përfitojnë ulje dënimi
Zbatimi i ligjit për amnistinë ka sjellë përfitime të konsiderueshme për të dënuarit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.
Sipas burimeve zyrtare nga burgu i Fieeit 103 të dënuar janë liruar, pasi kanë përfituar nga dispozitat e ligjit të amnistisë. Ndërkohë, 210 të dënuar të tjerë kanë përfituar ulje të dënimit, duke përfituar nga të njëjtat dispozita ligjore. Burume zyrtare nga ky burg thonë se dy nga te denuarit qe u liruan jane te huaj.










