SPAK ka urdhëruar kontroll në banesat e disa drejtorëve të bashkisë së Tiranës mes të cilave edhe banesën e drejtoreshës së investimeve pranë drejtorisë së punëve publike në bashkinë e kryeqytetin, Ilda Qazimllari.
Kontrollet janë kryer ditën e djeshme ku janë marrë kompjutera, dokumente dhe materiale të tjera në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.
Në lidhje me këtë çështje hetimore, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan edhe sot në zyrat e drejtorisë se punëve publike që drejtohej nga Taulant Tusha në afërsi të Rrugës së Durrësit. Oficerët e BKH ushtruan kontrolle, duke marrë prej andej kompjuterë dhe duke sekuestruar dosje të ndryshme.
Ndërkaq, mbrëmjen e kaluar është ushtruar kontroll edhe në banesat e tre drejtorëve të kësaj drejtorie, mes tyre edhe drejtoreshës së investimeve publike pranë Bashkisë së Tiranës, zonjës Ilda Qazimllari.
Ndërkohë, Taulant Tushe është zyrtari më i lartë i Bashkisë deri më tani që mbahet në arrest për inceneratorin e Tiranës.
Në dosjen e SPAK për inceneratorin e Tiranës nuk ishte përmendur emri i kreut të bashkisë Erjon Veliaj, ndërsa mungonin emailet që i dërgoheshin nga Bashkia e Tiranës për tek Klodian Zoto.