AKTUALITETTOP-NEWS

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin dhe konfiskimin e 18 milion eurove

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në lidhje me një shumë prej rreth 18.3 milionë eurosh që dyshohet se i përkisnin mafias italiane “Cosa Nostra”.

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurori Klodian Braho kërkoi gjithashtu konfiskimin përfundimtar të shumës së bllokuar në bankat shqiptare, e cila sipas SPAK ishte destinuar të pastrohej përmes transaksioneve të lidhura me kompani të sektorit të naftës.

Taçi po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati që prej vitit 2021. Për katër shtetasit italianë të dyshuar në këtë skemë, Francesco Zummo, Ignazio Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, çështja është veçuar dhe po trajtohet nga autoritetet italiane.

Sipas SPAK, fondet në vlerë rreth 18.4 milionë euro u bllokuan fillimisht në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskuan. Hetimet kanë ngritur dyshime se paratë do të transferoheshin përmes disa bankave në vende të ndryshme, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre, ndërsa biznesmeni shqiptar do të përfitonte një komision prej 16% të shumës së transferuar.

Në dosje përmenden edhe Artur Balla dhe Bledar Lilo, të cilët sipas akuzës kanë ndihmuar shtetasit italianë në hapjen e llogarive bankare dhe kryerjen e transfertave. Për këtë çështje, Lilo është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Balla me 7 vjet e 4 muaj.

Seanca e radhës ndaj Rezart Taçit është caktuar më 3 mars, kur pritet të paraqitet mbrojtja dhe të shpallet vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button