Spanja shkatërron ëndërrën Gjeorgjiane për të përsëritur një tjetër befasi në Euro 2024. Në Rhein Energie Stadion përfundoi 4-1 me iberikët që shkojnë bindës në çerekfinalen ku i pret Gjermania.
Skuadra e De La Fuente dominoi fushën, zotërimin e topit e në fund edhe rezultatin, por jo më parë se të trembeshin nga autogoli i Le Normand. Reagimi ishte ai i një skuadre të madhe dhe Rodri barazoi që në pjesën e parë, pastaj Fabian Ruiz, Nico Williams e Dani Olmo vulosën rezultatin.
AUTOGOL, PASTAJ POKER
U duk një ndeshje pa histori në Këln: Spanja mbajti 70% të zotërimit të topit, goditi 17 herë portën. E megjithatë, nuk ishte kështu, të paktën për një orë lojë. Le Normand devijoi në portën e tij një krosim nga e djathta, në minutën e 18’, në daljen e parë në gjysëmfushën kundërshtare të Gjeorgjisë.
Autogoli klasik, që detyroi iberikët të shtynin përpara. Spanja kishte gjithnjë 5 lojtarë në zonën gjeorgjiane, por kjo linte hapësira për kundërsulme të rrezikshme. Kvaratskhelia provoi të bënte gjeniun nga 55 metra larg, duke frikësuar Furitë e Kuqe.
Spanja sidoqoftë gjeti golin e Rodri në minutën e 39’ dhe në pjesën e dytë nisi rrethimin e portës së Mamardashvili. Portieri u mbrojt si mund deri kur Jamal krosoi perfekt në shtyllën e dytë për Fabian Ruiz që përmbysi shifrat në minutën e 51. Nga aty nuk pati më histori. Goli i tretë erdhi nga këmbët e Dani Olmo, ndërsa pokeri ishte meritë individuale e Nico Williams. Pas një assist fantastik të Fabian Ruiz, sulmuesi kaloi mbrojtësin në markaturë dhe e dërgoi topin nën traversë në minutën e 75’.
Tani në çerekfinale është sfidë spektakolare me Gjermaninë organizatore, dy nga skuadrat që kanë treguar formën më të mirë deri tani.