
Deputetja e Partisë Socialiste i ka kthyer një përgjigje të fortë kryeministrit Edi Rama pas shigjetimeve të tij një ditë më parë në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar.
Rama tha se kishte “shpirtra të humbur” edhe brenda socialistëve që kërkonin “një marrëveshje të re”, por sipas tij drafti i saj nuk do të vinte kurrë. Nuk ka vonuar përgjigjja e Spiropalit.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane.
Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.
Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin” – shkruan Spiropali.
Çfarë tha Rama një ditë më parë
“Është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, Shqipëri të re. Ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan Shqipëri të re.
Mezi pres të na sjellin draftin e Shqipërisë së re, të shkruar dhe jemi aty të bëjmë marrëveshje, por kam frikë se drafti nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamigove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja.
Fatosi poshtë, flamingo lart, HI HI HI edhe Shqipëria e re”, – tha Rama.











