Fier – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”. Shiste doza cannabisi në qytetin e Patosit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 35-vjeçari, i cili në momentin që u konstatua nga shërbimet e Policisë, tentoi të largohej me vrap.
Procedohet penalisht nëna e 35-vjeçarit, pasi kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të banesës.
Sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa, 4 grirëse dhe 1 automjet.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas lëvizte me lëndë narkotike në qytet, me qëllimin për ta shitur, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. N., 35 vjeç, banues në Patos.
Në qytetin e Patosit, në momentin që ky shtetas ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, doza lënde të dyshuar narkotike cannabis, të gatshme për shitje. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 2 kavanozë me lëndë narkotike cannabis dhe mjete për ndarjen e saj në doza.
Gjithashtu, për këtë rast, nisi procedimi penal për nënën e shtetasit A. N., shtetasen M. A., 62 vjeçe, banuese në Patos, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të banesës.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 4 grirëse, 1 automjet dhe 1 celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.