Një adoleshent u nxor i gjallë nga rrënojat këtë të martë, 35 orë pasi një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë jugore. Mahmut Nebi Uygul, 15 vjeç, u dërgua në spitalin në provincën Adiyaman, një nga rajonet e goditura rëndë nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë.
Babai i tij, Mustafa Uygul, reagoi i lumturj kur pa djalin e tij të shpëtuar, duke shtuar se edhe vëllai i madh i Mahmutit u dërgua në një spital në kryeqytetin Ankara për një operacion pasi u nxor i gjallë. Të paktën 3549 njerëz humbën jetën dhe 22168 të tjerë u plagosën në 10 provinca pas dy tërmeteve të forta Mbi 8000 njerëz janë shpëtuar deri më tani, sipas shifrave zyrtare.
UNICEF thotë se mbi 7 milionë fëmijë kanë ndërkohë nevojë për ndihmë në Siri. “Mijëra fëmijë janë në rrezik pas tërmetit shkatërrues që shkaktoi dëme të mëdha në Siri. Ekziston rreziku që shumë fëmijë të mbeten jetimë” – tha Andrea Iacomini, zëdhënës i Unicef Italia në një deklaratë.
“Ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur rajonin në gati 100 vjet dhe erdhi në kohën më të keqe të mundshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në zonat e prekura. Dhjetra shkolla, spitale dhe objekte të tjera mjekësore dhe arsimore u dëmtuan ose u shkatërruan nga goditjet” – tha zëdhënësi i Unicef-it, James Elder.