
Fieri i 12 deputetëve socialistë ka nisur të braktisë Ramën dhe Belën, duke kthyer sytë gjithnjë e më shumë drejt Erion Veliajt. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe: pushteti i gjatë, sidomos në një popullsi të vogël, jo vetëm që konsumon, por edhe e bën bajat, madje të padurueshëm.
Po bëhet gati një muaj që pas ndryshimeve në qeverinë “Rama 4”, Belinda Balluku — ish-drejtuese politike e PS në qarkun Fier — është zyrtarisht nën hetim nga SPAK. Kjo situatë nuk ka tronditur vetëm Belën, qeverinë apo vetë kryeministrin Edi Rama, por ka zgjuar edhe socialistët fierakë. Në tavolina lokalesh e në rrethe të ngushta, flitet hapur:
“Bela i lau duart… mirë t’i bëhet, shumë fodulle, mendjemadhe… nuk e njihte Myzeqenë. Erdhi dhe e bëri Fierin çorap. Na solli drejtorët nga Tirana, sikur ne këtu jemi të humbur…” — janë vetëm disa nga komentet që qarkullojnë.
Nga dy nënkryetarë bashkie, Bela i shndërroi në katër. Ndryshoi drejtorë, shefa, po solli nga rrethe të tjera për ti punësuar në naftë sikur fierakët nuk i bënin dote ato punë. Çfarë do firmosin e vulosin ata, e dinë vetë, thonë fierakët, sepse nëse viston nuk ua jep Subashi, “të shkojnë e i hedhin kashtë mushkës”, siç thotë populli.
Socialistët e Fierit — që Rama vetë i ka quajtur “kryeqyteti i socialistëve” — po fërkojnë duart me situatën e Ballukut. Ata e dinë mirë se ajo nuk kthehet më në politikë si dikur. Edhe nëse kthehet, nuk do të jetë më në majën e piramidës, por shumë më poshtë. Dhe jo vetëm ajo: nga janari 2026 priten lëvizje të mëdha. Ashtu si Bela vendosi drejtorët dhe “sojin e saj”, po ashtu do të çmontohen dhe do të largohen, thonë ata.
Ndërkohë, pakënaqësi ka edhe për lëvizjen e fundit të Fatmir Xhafajt, dikur njeriu më i besuar i Veliajt, i cili sipas zërave të qarkulluar, “qenka shitur te Bela” për sipërfaqe tokepër familjarët e tij me synim ndërtimin e paneleve fotovoltaike në bregdetin e Semanit.
Socialistët fierakë, duke parë zhvillimet politike që ndryshojnë nga dita në ditë, po largohen jo vetëm nga Bela dhe rrethi i saj, por edhe nga Edi Rama. Rama në këto vite qeverisje nuk ka rritur pensionet si në fshat dhe në qytet, por rrogat disa milionëshe të deputetëve truboshë që vetëm aprovojnë e nuk kundërshtojnë kur e ku duhet. Në diskutimet e tyre thuhet hapur se beteja të brendshme tani po bëhen për të nxjerrë nga qelia Lali Erin. Shpresat e tyre mbeten tek pafajësia e Veliajt, që sipas tyre është i vetmi që mund të mbajë pushtetin dhe të ringrejë PS — edhe pse në horizont kjo duket shumë e vështirë.
Arsyeja? Ndërsa mediat brenda vendit luajnë melodinë pro-qeveritare, diplomacia ndërkombëtare është ajo që po shtrëngon darën ndaj Ramës dhe klaneve pranë tij. Me deklaratadhe emisione investigative në media ndërkombëtare në Itali, Gjermani, Belgjikë, Angli, SHBA e Kanada, po flitet hapur se Rama është i kapur dhe se po favorizon klane të fuqishme ndërkombëtare të drogës. Madje, burime amerikane kanë sugjeruar se takimi i NATO-s në Shqipëri mund të zhvillohet pa Ramën Kryeministër.
A do të jetë kështu? Mbetet për t’u parë. Por baza gjithmonë i ndien më herët lëvizjet politike — sepse çdo ndryshim preket në xhepin dhe kurrizin e tyre. Dhe kjo duket qartë sot, kur ata socialistë të flaktë që deri dje I dhanë 12 deputetë socialiste qeverisë Rama4 , thoshin “Nuk bie Bela”, “Rama ha larg”, “Rama ua ka zënë derën diplomatëve të huaj”, tani po ngrejn në qiell Veliajin dhe po braktisin Ramën e Ballukun.
Por si çdo histori në politikë, edhe kjo ka një fillim dhe një fund. Historia e Ramës, Belës, Veliajt dhe gjithë klaneve që i rrethojnë po shkon drejt epilogut të saj.
Po kush do ta marrë?! A ka një opozitë të aftë që të vi në pushtet sepse deri më tani duket si një opozitë e lodhur, pa frymë, pa element të rinjë të politikës.
Mbetet vetëm të presim për ta parë nga janari i vitit 2026.












