Tetor i zi/ Protesta para ministrisë së shëndetësisë për mungesën e ilaçeve

Gazetari Osman Stafa dhe qytetarët janë ngritur në protestë sot tek Ministria e Shëndetësisë për mungesën e ilaçeve tek Onkologjiku. Protestuesit mbanin në duar tullumbacë të zinj si një sfidë për propagandën e qeverisë në lidhje me kontrollin e kanceve të gjirit nga gratë dhe vajzat, ndërkohë që në spitale mungojnë ilaçet për të sëmurët me kancer.







Në një reagim në Facebook pak para protestët, gazetari shkruan i revoltuar se kryeministri Rama po tallet me një hipokrizi të frikshme, teksa u thotë grave të bëjnë mamografi falas, ndërkohë që mamografia në QSUT është jashtë funksioni!
“A e ka lexuar Rama raportin e KLSH-së, që vërteton mungesat kriminale të barnave onkologjike?
A e di që gra të pafajshme po vdesin, sepse shteti i tij nuk bleu medikamentet në kohë?”- thekson gazetari.
Më tej, Stafa shprehet se ky është Tetori i Zi i grave që luftojnë çdo ditë për jetën, ndërsa qeveria bën propagandë me buzëqeshje dhe video.
Postimi i plotë:
Rama tallet me gratë e Onkologjikut!
Sot Kryeministri Rama, me një hipokrizi të frikshme, u thotë grave të bëjnë mamografi falas, ndërkohë që mamografia në QSUT është jashtë funksioni!
Si mund të flasësh për “parandalim”, kur nuk ka as trajtim?
Kur brakiterapia është e prishur prej muajsh…
Kur PET Scan-i mungon…
Kur kimioterapitë s’kanë ardhur me muaj dhe pacientet kthehen në shtëpi pa ilaçe, pa shpresë…
A e ka lexuar Rama raportin e KLSH-së, që vërteton mungesat kriminale të barnave onkologjike?
A e di që gra të pafajshme po vdesin, sepse shteti i tij nuk bleu medikamentet në kohë?
Ky nuk është Tetori Rozë.
Ky është Tetori i Zi i grave që luftojnë çdo ditë për jetën, ndërsa qeveria bën propagandë me buzëqeshje dhe video.
Prandaj sot protestojmë kundër kësaj propagande të fëlliqur, që këtë herë ka në mes, jetët e grave!











