Tirana e mbylli e fundit mbrëmjen e errët europiane të skuadrave shqiptare në Conference League, me humbjen 3-2 kundër Zrinjski Mostar, që i fitoi të dy sfidat me bardheblutë në raundin e dytë të kompeticionit. Vetëm humbje në Europë për kampionët e Shqipërisë, e katërta radhazi, pas dy disfatave kundër Dudenlange në Champions.
Tirana del nga aventura Europiane pa asnjë histori, edhe pse në transfertën me boshnjakët provoi të luante shanset e saj. Shumë vonë, duke patur parasysh humbjen 0-1 në Arenën Kombëtare në ndeshjen e parë apo edhe për faktin se ishte gjithnjë në disavantazh në takimin e kthimit ndaj Zrinjskit.
Boshnjakët e bënë të qartë historinë që në pjesën e parë, kur shënuan 2 herë me Jankoviç dhe Ticinoviç. Tirana ngushtoi diferencën me Ismajgeci në minutën e 51, që ishte edhe goli i dytë për bardheblutë në këtë edicion në Europë. Zrinjski mbajti distancën e sigurisë duke shënuar golin e tretë me Kuze në minutën e 80-të, përpara se Xhixha të shkurtonte edhe njëherë diferencën në minutën e 84, duke fiksuar shifrat në 3-2. Në 4 ndeshje, Tirana pësoi vetëm humbje dhe një pasiv prej 7 golash kunddrejt vetëm 3 të shënuar. Në turin e tretë të Conference League, skuadra boshnjake do të përballet me Tobol, që është dhe ekipi kampion në fuqi i Kazakistanit.