Protesta e Lëvizjes Bashkë para kuvendit me parullën “Dorëzoni Belindën!”

“Lëvizja Bashkë” ka zhvilluar protestën e saj të tretë përpara Kryeministrisë.
Në tubim morën pjesë mbështetës të shumtë, të cilët mbanin pankarta me mbishkrimin “Dorëzoni Belindën”. Protesta u organizua në vazhdën e akuzave për korrupsion dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, deklaroi se qytetarët janë mbledhur përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit për të kundërshtuar korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes.
“A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë si një vend, ku personat me aftësi ndryshe, nuk marrin lëmoshë 10 mijë lekë nga shteti, por integrohen tërësisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit? A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku nuk duhet 100-150 vite jetë ku të paguhej kredia për shtëpinë? A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku lulëzon e zhvillohet sporti, shkenca, arti, filozofia, ku demokracia nuk është pallavër, por realitet konkret që ndërtohet përditë nga qytetarë aktivë nga vendi ynë? Përfytyrimi ynë është i rrezikshëm për ata që kanë pushtetin politik dhe monopolet ekonomike. Ata e dinë më mirë se ne, se përfytyrimi ynë është realiteti i nesërm. Ky përfytyrim mund të bëhet realitet, jo me sytë nga qielli, jo duke ëndërruar delta force që do na shpëtojnë si vend, por duke pasur më shumë besim te njëri-tjetri, duke u bashkuar të gjithë si një grusht, për t’i përzënë zuzarët nga qeverisja dhe për t’i hapur shtegun ndërtimit të një shteti të drejtë, demokratik, social, që i mundëson qytetarëve të vet të jetojnë me dinjitet” u shpreh Qori.












