Punëtori 21-vjeçar gjymtohet në fabrikën e riciklimit, arrestohet administratori i firmës në Fier

Fier – Një ngjarje e rëndë në vendin e punës ka çuar në arrestimin e administratorit të një firme riciklimi mbetjesh në Fier. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë vënë në pranga shtetasin Nelson Hoxha, 38 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, gjatë punës në këtë subjekt është gjymtuar punëtori Dino Rustemi, 21 vjeç. I riu dëmtoi krahun duke e thyer atë e më pas ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ndërsa dokumentimi i plotë i saj dhe procedurat hetimore janë kryer një ditë më pas nga strukturat e policisë.








