Nesër do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor dhe Tirana do të mirëpresë 27 liderë europianë. Kryeqyteti do të bllokohet nën masa të rrepta sigurie.
Policia Rrugore e Tiranës ka publikuar hartën e rrugëve në të cilat ditën e martë, nuk do të lejohet as kalimi, e as parkimi i automjeteve për shkak të perimetrit të sigurisë së vendosur me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së samitit.
Siç shihet dhe nga harta duke nisur nga ora 06:00 do të mbyllen hyrjet nga Durrësi, Elbasani e Veriu, ndërsa do të bllokohet dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;
Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;
Rruga “Dervish Hima”;
Rruga “Asim Zeneli”;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.
Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;
Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:
Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.
Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.
Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.
Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.
Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.
Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.
Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.
Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.
Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidëntë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:
– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;
– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;
– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;
– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;
– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;
– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.