Tokat e fermerëve në Belinë, mes lumit Seman dhe Vija e Ngjalës, nuk kanë ujë për vaditje.

Patos – “Tokat thahen, institucionet heshtin, fermerët e Belinës në buzë të falimentimit”. Tokat e fermerëve mes lumit Seman dhe Vija e Ngjalës, ata nuk kanë ujë për vaditje.
Në Belinë të njësisë administrative Zharrëz, Bashkia Patos, prodhimet bujqësore po thahen nën diellin përvëlues të korrikut.
Mes kolektorit “Vija e Ngjalës” dhe lumit Seman, toka ka, por ujë jo. Fermerët e këtij fshati – afro 65 të tillë – shohin me dëshpërim si djersa e tyre po shuhet mbi një tokë që për vite me radhë nuk po gjen më vaditje.
Refat dhe Altin Mbrostaraku, dy prej këtyre fermerëve, kanë mbjellë 4 hektarë me shalqinj, pjepër, domate e speca. Por gjithçka është në rrezik. Prodhimet janë duke u tharë në ara – investimet në erë. Vitin e kaluar mbollën 10 hektarë, këtë vit… më pak se gjysma, sepse e dinin që ujë nuk do të kishin.
“E dimë që s’ka ujë, por nuk kishim zgjidhje. 20 milionë lekë të vjetra kemi hedhur, prodhimi po shkatërrohet, po falimentojmë!”





Dy a tre vite më parë, me bujë e kamera, Taulant Balla erdhi e inaguroi stacionin e pompave në lumin Seman. Por pompat mungonin. U vendosën me vonesë dhe këtë vit… u shëmbën! Sot, godina është e rrënuar, pompa e shkatërruar dhe fshati i tërë pa një pikë ujë.
“I kemi rënë telefonave të gjithë institucioneve, por askush nuk përgjigjet. Thonë janë me leje, por ne i shohim që pinë birra në lokale…”
Fermerët kërkojnë vetëm një gjë: ujë, sa më parë! Sepse prodhimi nuk pret dhe agonia është çdo ditë më e madhe.


Nga ana tjetër, Bashkia Patos pohon se janë në dijeni të problemit, por duhet të rregullohet godina, të vendoset bazamenti i ri për pompën, që sistemi të vihet sërish në funksion.
Por ndërkohë që burokracia bën plane, prodhimet e fermerëve në Belinë po thahen një nga një.











