“Tre kilometra harresë, mbi 30 vite pritje”/ Banorët e Kreshpanit: Rrugën e shtrojmë me paratë tona

FIER – “Jemi të përsekutuar nga dy regjime”. Kjo është mënyra e pazakontë, por domethënëse, me të cilën banorët e lagjeve Malaj dhe Alijaj në Kreshpan përshkruajnë historinë e tyre me një prej problemeve që, sipas tyre, shteti nuk ka arritur ta zgjidhë prej më shumë se tre dekadash.
Në fokus është një segment prej rreth 3 kilometrash rrugë, që lidh fshatrat e Vjosës me Kreshpanin. Një aks që për banorët nuk është thjesht një rrugë e amortizuar, por lidhja kryesore me shkollën, shërbimet, tregun dhe aktivitetin e tyre bujqësor.
Sipas banorëve, prej viteve ’90 kjo rrugë ka mbetur pa një investim përfundimtar dhe pa asfaltim.
“Jemi të përsekutuar nga dy regjime, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe nga regjimi pas viteve ’90”, shprehet një prej banorëve të lagjes Malaj.





Rruga që riparohet me paratë e banorëve
Pamjet e siguruara nga zona tregojnë një aks të dëmtuar, me gropa dhe pjesë të amortizuara, ku lëvizja e automjeteve është kthyer në një vështirësi të përditshme.
Por ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën, sipas banorëve, është fakti se ndërhyrjet që janë bërë ndër vite nuk kanë ardhur si rezultat i një investimi të qëndrueshëm publik.
Kanë qenë vetë banorët ata që, sipas dëshmive të tyre, janë detyruar të mbledhin para për të hedhur material dhe për të mbushur gropat.
“Janë investime tona private. Një herë apo dy herë në vit mbushim gropat me paratë tona, sepse ndryshe nuk mund të kalojmë”, tregojnë banorët.
Një situatë që ngre pikëpyetje mbi mirëmbajtjen dhe investimet publike në zonat rurale: sa herë duhet të paguajë një komunitet për të bërë të kalueshme një rrugë që përdoret çdo ditë?
100 familje të lidhura me një rrugë të amortizuar
Sipas banorëve, rreth 100 familje në lagjet Malaj dhe Alliaj preken drejtpërdrejt nga gjendja e këtij aksi.
Për ta, rruga nuk është një luks dhe as një kërkesë dytësore.
Është rruga që përdorin çdo ditë fëmijët për të shkuar në shkollë, banorët për të shkuar në punë dhe familjet për të marrë shërbimet bazë.
Por mbi të gjitha, ajo është një rrugë e rëndësishme për ekonominë e zonës.
Bujqësia përplaset me gropat
Kreshpani dhe zonat përreth kanë aktivitet bujqësor, ndërsa një pjesë e familjeve sigurojnë të ardhurat nga toka.
Por për fermerët, prodhimi nuk mjafton. Ai duhet të transportohet dhe të shitet.
Banorët thonë se prodhimet e tyre i dërgojnë në Cakran, Kreshpan dhe Fier, ndërsa gjendja e rrugës ua vështirëson transportin dhe u shton kostot.






“Kemi fëmijë për të çuar në shkollë, por kemi edhe prodhime bujqësore që duhet t’i nxjerrim në treg. I çojmë në Cakran, në Kreshpan apo edhe në Fier. Kjo rrugë na penalizon çdo ditë”, shprehen banorët, duhet ti biem nga Varibopi apo Cakrani, një rrugë më e gjatë, por që ka kosto e sidomos tani që është rritur dhe çmimi i naftës.
Në ditët me reshje, situata, sipas tyre, bëhet edhe më problematike.
Ankesa në Cakran dhe Bashkinë Fier, por pa zgjidhje
Banorët deklarojnë se nuk e kanë ngritur për herë të parë këtë shqetësim.
Ata thonë se ndër vite janë drejtuar pranë Njësisë Administrative Cakran dhe Bashkisë Fier, duke kërkuar ndërhyrje për rrugën, na quajnë lagje demokrate dhe nuk e shtrojnë ndërkohë që për ne ska të bëjë me bindje politike.
Por, sipas tyre, kërkesat nuk kanë sjellë një investim përfundimtar.
“Kemi bërë ankesa, kemi kërkuar investim, por deri tani asgjë. Rrugën e mirëmbajmë vetë”, thonë banorët.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe shqetësimi kryesor i tyre: nuk kërkojnë më një ndërhyrje të përkohshme për të mbushur gropat, por një zgjidhje që t’i japë fund problemit.
Tre kilometra që kërkojnë një zgjidhje
Pas më shumë se tri dekadash, banorët e Malajt dhe Alijajt thonë se nuk duan më premtime.
Kërkesa e tyre është e drejtpërdrejtë: rikonstruksion dhe asfaltim i rreth 3 kilometrave rrugë që lidhin Vjosën me Kreshpanin.
Për rreth 100 familje, këto tre kilometra janë shumë më tepër se një segment rrugor në hartën e një njësie administrative.
Janë rruga e fëmijëve drejt shkollës, rruga e fermerit drejt tregut, rruga e banorit drejt shërbimeve dhe një prej lidhjeve kryesore të komunitetit me pjesën tjetër të zonës.
Banorët thonë se për vite me radhë kanë paguar vetë për të mbajtur të kalueshme rrugën.
Tani kërkojnë që këtë barrë ta marrë përsipër institucioni përgjegjës.
Tre kilometra rrugë. Më shumë se 30 vite pritje. Rreth 100 familje që kërkojnë një investim publik. Dhe një pyetje që mbetet pezull: deri kur do të duhet që banorët të paguajnë nga xhepi për një rrugë që duhet të jetë përgjegjësi e shtetit? /ALB365/ Xhemil Beharaj










